CNN: ISIS, celulë të re për armët kimike

Shteti Islamik po krijon një celulë të re për armët kimike, të përbërë nga të gjithë ekspertët e tij në këtë fushë, të cilët vijnë nga Iraku dhe Siria.

Bota

18/05/2017 16:22

Kështu pretendojnë shërbimet inteligjente amerikane, të cituara nga CNN.

Celula, sipas burimeve të rrjetit informativ amerikan, përbëhet nga specialistë që nuk kanë punuar kurrë së bashku dhe e ka bazën në një zonë të kontrolluar nga ISIS në Siri, në luginën e lumit Eufrat, mes lokaliteteve Majadin dhe Kaim, jo shumë larg kufirit iraken.

Zona në fjalë, vijon raportimin e tij CNN, është de fakto kryeqyteti i ri i Shtetit Islamik për shkak të presionit të fortë ushtarak të ushtruar ndaj tij në Raka nga ana e forcave të koalicionit dhe atyre lokale.

Sipas ekspertëve amerikanë, ISIS po konsolidon njohuritë e tij sa i përket armëve kimike, për të përforcuar kapacitetet me qëllim mbrojtjen e atyre pak bastioneve të mbetura.

Një zëdhënës i koalicionit të udhëhequr nga SHBA, Ryan Dillon nuk ka konfirmuar lajmin në fjalë, por i ka thënë rrjetit informativ se në të kaluarën ISIS ka përdorur agjentë kimikë të nivelit të ulët.

“E dimë që ISIS është i gatshëm të përdorë armët kimike, ndaj nuk duam që të bëhen të zotë në këtë fushë”, ka thënë Dillon.