CNN: Bota ka ushqim të mjaftueshëm për të gjithë

Lajmi.net ju sjell një analizë të bërë për atë se a do të ketë njerëzimi ushqim të mjaftueshëm për të gjithë banorët e saj edhe nëse numri i popullsisë rritet për 50%.

Bota

17/10/2014 00:55

Me një popullsi prej 7 miliardë banorësh, bota ndonjëherë na duket si një vend i mbipopulluar. Por në qoftë se i besojmë vlerësimeve të fundit se brenda një shekulli popullsia e botës pritet të rritet për rreth 50%, atëherë këto shifra marramendëse ngrenë një pyetje shumë të rëndësishme.

A ka do të ketë furnizimin të mjaftueshëm me ushqim për të përmbushur kërkesat e të gjithë banorëve të botës?

16 tetori është Dita Botëtore e Ushqimit dhe pikërisht është momenti më i mirë që t’i jepet përgjigje kësaj pyetje. E për t’ju përgjigjur sa më mirë kësaj pyetje, janë disa shifra shumë të rëndësishme që duhet shikuar:

805 milionë është numri i personave në tokë që vuajnë nga uria kronike. Përderisa ky numër ka rënë për 11 për qind në dekadën e fundit, gjithsesi prezanton një shifër të lartë në përpjesëtim me numrin e përgjithshëm të popullsisë së botës.

33 është përqindja e ushqimit në botë që shkon dëm përpara se ajo të konsumohet nga ndonjë qenie njerëzore. Në pjesën jugore të botës, kjo gjë ndodhë pikërisht për shkak të përpunimit dhe magazinimit jo efikas të ushqimit. Ndërkaq, në veri konsumatorët por dhe shitësit janë fajtorë për humbjen e ushqimit. Kombet e Bashkuara vlerësojnë se këto humbje të ushqimit i kushtojnë botës 2.6 trilionë dollarë në vit.

2 miliardë e 512 milionë tonë ushqim pritet që fermerët të korrin gjatë këtij viti. Kështu thotë Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e OKB-së. E nëse kjo del të jetë e vërtetë, atëherë ky do të jetë viti më i bereqetshëm i të gjitha kohërave.

2,868 është numri i kalorive që planeti jonë ka në dispozicion për një person brenda një viti. Kjo shifër është nxjerrë në vitin 2011. Ndonëse nuk ka të dhëna për këtë vit, besohet se ky numër është në rritje. E gjithë kjo mbështetet në rritjen e vazhdueshme të prodhimit të sasisë së ushqimit për një person. Kjo rritje e produktivitetit veçanërisht është e mirë duke pasur parasysh se popullsia e Tokës është rritur kohëve të fundit. Dhe më e rëndësishmja, numri i kalorive për një person në ditë tregon se ka ushqim të mjaftueshëm në këtë planet për të gjithë ne.

Përveç shifrës së parë, shifrat e tjera tregojnë se ka hapësirë për optimizëm. Pse ndodh kjo? Sepse, në thelb, të dhënat tregojnë se toka ka ushqim të mjaftueshëm. Për më tepër, këto shifra dëshmojnë se problemi i urisë është një çështje e politikës publike dhe e sjelljes së përgjithshme shoqërore dhe pa shmangien e uljes së numrit të humbjeve në ushqim, problemi i urisë nuk mund të zgjidhet.

Në fund të fundit, këto shifra tregojnë se problemi i urisë është i zgjidhshëm, por thatësirat, kriza e bukës dhe trazirat tjera mund të jenë tituj kryesorë të mediave në dekadat e ardhshme. Por, kjo gjë nuk duhet të na bëjë që të harrojmë gjënë themelore: se bota ka një të ardhme të mirë në aspektin e furnizimit të mjaftueshëm me ushqim për çdo banor të saj, shkruan CNN, transmeton lajmi.net.