Çmimet e importit shënojnë rritje të vogël

Indeksi i tërësishëm i çmimeve të importit në Kosovë ka shënuar rritje për 0.6 për qind në tremujorin e katërt të vitit të kaluar krahasuar me tremujorin e tretë të 2017, thuhet në raportin e Indeksit të Çmimeve të Importit për tremujorin e katërt 2017, të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Lajme

07/03/2018 16:01

Ngritjet më të mëdha të çmimeve sipas sektorëve ishin te produktet minerale 5.3 %, vajrat ushqyese 2.3 %, metalet bazë dhe artikujt prej tyre 1.6%, shtazët e gjalla dhe prodhimet e tyre 0.5%, artikujt e ndryshëm të prodhuar 0.5%, etj.

Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorëve: letra dhe artikujt e saj  -7.4 %, artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani -1%,  këpucët -0.4%, artikujt e gurit, llaçit, prodhimet e qeramikës dhe qelqit -0.3% etj.

Ndërkaq, krahasuar tremujorin e katërt 2017 me të njëjtën periudhë të vitit 2016, çmimet e importit në Kosovë u ngritën në një mesatare prej 2.5%, ku ngritjet më të mëdha u shënuan te  prodhimet bimore 16.1%, metalet bazë dhe artikujt prej tyre 11.7%.

Ngritja u neutralizua nga rënia e çmimeve sipas sektorëve te letra dhe artikujt prej saj -10.8%, lëkura dhe artikujt prej saj -5.3%, artikujt e ndryshëm të prodhuar -2.6%, pajisjet e makinerisë dhe pajisjet elektrike -2.5%, këpucët -2.4%, etj./Lajmi.net/