Çlirimi Popullor

Për urinuesit urgjentë meshkuj, Partia e Fortë ka siguruar nga një urinale në çdo hyrje të banesave të qytetit. Për femrat, premtojnë se kanë një plan afat-shkurtër që të sigurojnë hinka speciale si lehtësim.

Lajme

29/10/2013 17:42

Partia e Fortë do të instalojë 3058 urinale për lehtësimin e urinimeve të mbrëmjes nëpër hyrjet banesore të kryeqytetit.

Sipas kësaj partie, hyrjet e objekteve banesore rëndom janë përdorur edhe për shlirimin nga nevojat e vogla por urgjente të kalimtarëve të rastit, për çka qyteti i Prishtinës deri sot nuk ka ofruar ndonjë infrastrukturë për ta përmbushur këtë nevojë shumë njerëzore.

Deri sot nevojat e shpejta fiziologjike janë  kryer në mënyra shumë jo-formale. Për t’ë zgjidhur këtë problem, Partia e Fortë ka dalë me idenë për vendosjen e urinaleve në çdo hyrje banesore.

“Instalimi i gjithsej 3058 urinaleve është zgjidhja optimale për këtë problematikë, sipas ekspertëve të PF’së. Kjo qasje Duchampiane na siguron që urina të jetë e lokalizuar, hyrjet të mbesin të pastra dhe qytetarët të ndihen të liruar nga nevojat e tyre urgjente”.

“Për gjininë femërore, në planin afat-shkurtër, PF do të sigurojë hinka speciale si lehtësim”

“Me instalimin e urinaleve në çdo hyrje të objekteve banesore, ne sigurohemi që nevoja e vogël të kryhet aty ku duhet e jo në dysheme apo në ndonjë kënd të errët siç ndodhë tani”.

“Si rrjedhojë, kjo shumë herë ka shkaktuar bezdi për banoret në ato hyrje duke ua ndotur hapësirën ku ata duhet të ecin. Sipas ekspertëve të Partisë së Fortë kjo mënyrë nuk është aspak higjienike dhe mund të rrezikojë banorët nga sëmundje të ndryshme ngjitëse,” thuhet në projektin e prezentuar nga PF.

Më tutje thuhet se PF është duke i identifikuar edhe hapësirat tjera më të gjëra nëpër hyrje të ndryshme për të instaluar edhe tualete të plota që mund të shfrytëzohen edhe për nevoja tjera nga banorët dhe qytetarët.

“Studimi i fizibilitetit për këtë projekt parasheh që këto të gjitha të përfundojnë në fillim të vitit 2015. Në lidhje me erën që mund të mbretërojë në katin përdhesë të hyrjeve, të anketuarit kanë treguar se kanë nostalgji për këtë erë, e cila ua kujton kohën e shkollës fillore”.

“Partia e Fortë për hyrje të pastra! Partia e Fortë për mëshikëza të zbrazëta!”.