Clint Williamson ‘publikon’ raportin e tij, nuk gjen prova për trafikim organesh

Prokurori Special i Task-Forcës për Krime Lufte, Clint Williamson, ka 'publikuar' sot raportin e hetimeve të bazuara në raportin e Këshillit të Evropës të hartuar nga ish senatori zviceran Dick Marty, duke bërë të ditur se ekipi i tij nuk ka gjetur prova për të vërtetuar se gjatë luftës në Kosovë ka pasur trafikim organesh.

Lajme

29/07/2014 12:23

Në një konferencë për media të organizuar në Bruksel, prokurori amerikan ka thënë se ka prova se gjatë luftës në Kosovë ka pasur dhunë dhe krime ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë, por edhe ndaj figurave politike gjatë dhe pas luftës, andaj sipas tij ekziston baza për ngritjen e aktakuzave ndaj disa ish-udhëheqësve të UÇK-së.

“Për dy vjet e gjysmë kemi zhvilluar hetime për raportin e Dick Marty-t, intervistime të qindra dëshmitarëve, shqyrtimin e mijëra faqeve, gjatë dhe pas periudhës së procesit tonë hetimor”.

“Kjo ka qenë një detyrë shumë sfiduese, pasi kemi shqyrtuar ngjarjet që kanë qenë 15 vjet më parë. Një numër dëshmitarësh janë intervistuar, ka pas edhe nga ata që kanë ndërruar jetë, ose disa nuk kanë mundur për arsye të shëndetit”, ka thënë Williamson.

“Dhe në bazë të raporteve të OSBE-së dhe të Dick Marty-t është vërtetuar se ka pasur persekutime ndaj pjesëtarëve të pakicave në Kosovë, të udhëhequra nga struktura të larta të UÇK-së. Por, gjithashtu ka dëshmi se janë kryer edhe vrasje të figurave të ndryshme politike”, ka thënë të martën prokurori amerikan.

“Ne do t’iu shkojmë deri në fund këtyre hetimeve. Këto deklarata që unë po i shpalos janë bazë për një aktakuzë që do të ngrihet më pas”, ka thënë Williamson, duke bërë të ditur se kjo do të ndodh pasi të themelohet Gjykata Speciale, e kjo pasi të themelohet Kuvendi.

Prokurori Special i Task-Forcës për Krime Lufte ka thënë se deri në themelimin e Gjykatës Speciale, të gjeturat prej ekipit të tij do të mbahen të mbyllura.

Williamson në këtë konferencë po ashtu ka bërë të ditur se puna e Taskë Forcës do të përmbyllet më 23 gusht, dhe se ai do t’ia lëshojë vendin e kryeprokurorit një tjetër prokurori, i cili do të merret me punët paragjygjësore.