Cliff në fund të mandatit porositë të rinjtë e Kosovës që mos ta humbin shpresën

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, ka deklaruar se zhvillimi i Kosovës mund të bëhet përmes përkushtimit të institucioneve në edukimin e të rinjve, që përbëjnë një përqindje të madhe të numri të përgjithshëm të popullatës.

Lajme

19/03/2015 17:41

Në mbyllje të mandatit të tij si ambasador, Cliff ka dhënë një intervistë lamtumirëse për TV ‘Dukagjini’-n në Pejë, ku ka shprehur respektin që ai ka për popullin e Kosovës.

Ambasadori Cliff ka inkurajuar të rinjtë e Kosovës që të mos humbasin shpresën për një të ardhme më të mirë të vendit të tyre.

“Në Kosovë kemi popullatën më të re në Europë. Çdo vit tregu i numrit të punëkërkuesve rritet një 25 mijë të rinj dhe kjo nuk është një problematikë e lehtë për tu menaxhuar, mirëpo dua të inkurajojë lidershipin e ri që të vazhdojnë me edukimin kualitativ. Ata (lidershipi i të rinjve) mund t’i ndryshojnë gjërat”. ka deklaruar Cliff.

Ambasadori Cliif më tej ka shtuar se popullata nuk duhet të humbas shpresat për një të ardhme më të mirë të shtetit, meqë Kosova ka disa arritje për këto shtatë vjet të saja si shtet.

“Ende jeni vend i ri me vetëm shtatë vite jetë. Është kontrast i madh ky me vendin tim ku tashmë atje shënohet 800 vjetori i krijimit të shtetit. Kosovën po e pret një e ardhme e ndritur”, ka shtuar Cliff.