Cliff: Kosovarët po votojnë si europian

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ian Cliff ka thënë se deri në këto momente, procesi zgjedhor në Kosovë ka një rrjedhë normale. 

Lajme

08/06/2014 20:03

Në një prononcim për Evropa e Lirë, Cliff vlerësoi se kosovarët janë duke votuar sikur qytetar evropian.

\”Nga ajo që e kam parë deri më tash, këto zgjedhje duken si çdokënd tjetër në Evropë\”, i tha Radios Evropa e Lirë, ambasadori britanik në Prishtinë, Ian Cliff.

“Ishte një ditë shumë e suksesshme deri më tash, nga ajo që pashë unë”, tha Ambasadori Cliff.

Megjithatë, ai tha se jo gjithçka ka mbaruar, pasi tani dëshiron që njëjtë të vazhdojë procesi edhe gjatë numërimit.

“Tani i përket komisionarëve se si do të eci puna. Unë besoj që mesazhi është përçuar fuqishëm (që nuk duhet të ketë manipulime) dhe se janë në dijeni që procesi duhet të shkojë mirë deri në fund”, tha më tej Cliff.

Ai tha se ndonëse nuk ka qenë në Kosovë në vitin 2010, por e di që atë kohë problemi kryesor ka qenë me procesin e numërimit.

“Mirëpo, në atë kohë, nuk kishte një mision të plotë të BE-së për vëzhgim siç ka tani. Kështu që shpresoj që gjërat të ecin mirë edhe gjatë numërimit”, vlerësoj ambasadori britanik.

Ai tha se i vetmi problem që ka dëgjuar nga veriu ishte fakti që disa qytetarë serbë që kishin ardhur nga Serbia nuk patën mundësi të votonin menjëherë duke përdorur dokumente të Serbisë, por që më pas të njëjtit votuan me kusht.

Cliff, megjithatë u shpreh i kënaqur edhe me pjesëmarrjen e votuesve në veri.