Çka të bëhet me Veriun? – Lajmi.net
Çka të bëhet me Veriun?
Autori: Blerim Shala Op-EdOpinion 10:10, 25 January 2018
Normalizim i situatës në Veri, kur Prishtina do ta ushtronte pushtetin e mirëfilltë andejpari, do t’i kthente bisedimet e Brukselit në një dialog të mirëfilltë teknik.

Vrasja e Oliver Ivanoviqit, në pikë të ditës, në qendër të qytetit, në Mitrovicë, siç po kuptohet gjithnjë e më shumë, mbi të gjitha është pasojë e mungesës së Rendit dhe ligjit në këtë pjesë të Kosovës. Zatën askush në këto dhjetë ditët e shkuara, nuk ka kërkuar shkakun e kësaj vrasjeje në raportet ndëretnike në këto anë të vendit, apo edhe diku tjetër në Kosovë. Për herë të parë, tash e gati nëntëmbëdhjetë vjet të zhvillimeve në Veri të Kosovës  (që prej fundit të luftës e këndej), një ngjarje shumë e rëndë, çfarë ishte vrasja e një politikani, nuk pati për rezultatin e saj ngritjen e barikadave matanë lumit Ibër, tensionimin e marrëdhënieve në mes të shqiptarëve dhe serbëve atje apo kudo tjetër në vend. Vetë ky fakt me gjasë është shpjegimi më i mirë i mundshëm ku do të duhej kërkuar urdhëruesit e kësaj vrasjeje.

Veriu i Kosovës pra, siç është thënë shumë herë në të kaluarën, është territor ku nuk ka ligj, nuk ka rend, ku krimi i organizuar është faktori më relevant dhe më i fuqishëm që ka ndikim të jashtëzakonshëm në të gjitha sferat e jetës, duke përfshirë këtu edhe politikën.

Gjendja në Veri nuk ka të bëjë gjë me synimin për ta normalizuar situatën atje.

Pyetja që menjëherë sipërfaqësohet këtu, tek secili politikan dhe diplomat që mirret me dialogun e Brukselit që ka për synim Marrëveshjen ligjësisht obligative për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë është kjo: A mund të ketë njëmend sukses faza finale e këtyre bisedimeve, e cila pritet të fillojë së shpejti  (për tu rrumbullakësuar më së voni vitin e ardhshëm), nëse gjendja e sigurisë, e rendit dhe e ligjit në Veri do të mbetet e këtij niveli., me certikatën e kualifikimit si shumë të rrezikshme, e cila u ‘nënshkrua’ me gjashtë plumbat në trupin e një politikani serb?

Deri tash së paku, në Bruksel, por edhe në Beograd, ka mbizotëruar logjika për dy procese paralele: Sa më afër që Prishtina dhe Beogradi të jenë Marrëveshjes së madhe për normalizimin e raporteve, aq më afër do të jetë integrimi i mirëfilltë, i plotë, i Veriut në sistemin politik dhe ligjor të Kosovës. Në të vërtetë, Beogradi në parim është dakorduar që proceset e integrimit formal të kësaj ane të Kosovës, mund edhe të ecin para, por në ndërkohë, ka bërë gjithçka që ka qenë e mundur, që mos të ketë një zhvillim të mirëfilltë përmbajtësor në këtë aspekt, kur Prishtina do të kishte njëmend kontrollin politik dhe ligjor në Veri. Po të ishte ndryshe, zbatimi i Marrëveshjes për drejtësi nuk do të zvarritej për dy vjet e gjysmë, ura kryesore mbi lumin Ibër moti do të hapej për qarkullim, ‘relacionet’ në mes të konkurentëve serbë në politikë nuk do të përcjelleshin me ‘argumente’ në formë të bombave, shpërthimeve dhe djegieve të vetura.

Çfarë u bë fare e qartë në ditët e kaluara, pas fundit tragjik të një politikani, është që kjo politikë e Beogradit e zvarritjes së qëllimshme të procesit të normalizimit të gjendjes në Veri të Kosovës, është kthyer në një argument kundër vetëvetes, sepse tani, qytetarët serbë të kësaj ane të vendit, nuk kanë kurfarë dyshimi se kush është në të vërtetë përgjegjës për mungesën e sigurisë elementare në Veri, edhe pse Presidenti Vuçiq, gjatë qëndrimit të tij njëditorë në Kosovë  (të shtunën e kaluar, me 20 janar), ‘lau duartë’ nga çfarëdo përgjegjësie për gjendjen e rëndë në Veri, duke pranuar publikisht që Serbia nuk ka kurfarë ingerencash në Kosovë, në fushën e sigurisë.

Nuk ka dyshim që udhëheqësia e sotme e Serbisë, nuk është e interesuar që në Veri të ketë sundim të ligjit dhe siguri për qytetarët e kësaj pjese të Kosovës. Për Beogradin, Veriu mbi të gjitha është një territor që është temë kryesore e bisedimeve të Brukselit, është argumenti sipëror që duhet të përdoret në ballafaqimin me palën kosovare, është një ‘letër me vlerë’ që mund të shfrytëzohet për të nxjerrë koncesione shtesë për veten nga Prishtina dhe Brukseli.

Një normalizim i njëmendtë i situatës në Veri, kur autoritete e Prishtinës do ta ushtronin pushtetin si duhet andejpari, do t’i kthente bisedimet e Brukselit në një dialog të mirëfilltë teknik.

Fotolajm

Rozana Radi provokon nga pasqyra, shfaq gjoksin më shumë se ç’duhet
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO