Çka tash?

Nëse Kosova dëshiron stabilitet politik, duhet patjetër të ndryshohet sistemi zgjedhor në vend. Nuk ka problem që nuk mund të zgjidhet.

Lajme

14/06/2017 14:57

Deri vonë, ky qëndrim a kjo fjali ka pasë vulë të konfirmimit të plotë të mendësisë politike evropiane dhe amerikane.

Zgjidhja e çdo problemi të vjetër, sjell një problem të ri. Prandaj, duhet të mësohemi të jetojmë me to, me problemet, duke i zgjidhur sa më shumë që është e mundur.

Sot e kësaj dite, kjo është porosia kryesore e mendësisë tradicionale kineze.

Duket që viteve të fundit, dhe për këtë jemi dëshmitarë të gjithë ne, Perëndimi i është afruar goxha shumë këtij mendimi themelor të dijes kineze.

Zatën, paqja dhe rehatia e përhershme, edhe ashtu është kategori religjioze, dhe ajo na premtohet, me sa e meritojnë, pas vdekjes, në Botën e amshueshme.

Megjithëse ne jemi të prirë, si shqiptarë të Kosovës, t’i dimë të gjitha, apo, të pretendojmë që në secilin prej nesh është strehuar një Encyclopedia Britannica, që i ofrohet kësaj shoqërie dhe Botës së mbarë falas, kësaj radhe, pas zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, fare pak ka të tillë që ia mësynë të na tregojnë se çka ndodhi në të vërtetë të dielen e kaluar, apo, pse sovrani e dha këtë verdikt, dhe çka do të ngjajë tash e tutje në politikën kosovare.

Interpretimet e deritashme, për te dy kryepyetjet politike në vend, ofrojnë modelin e ‘Tavolinës suedeze’. Pra, në këto shpjegime gjindet gjithçka e mundshme, gjë që mbronë artikuluesin e shpjegimeve politike prej gabimeve, sepse nëse thua që java i ka shtatë ditë të plota, nuk bën kurfarë gabimi.

Sidoqoftë, kemi të bëjmë me një dukuri gjithsesi të paparë në këtë parlamentarizmin demokratik në Kosovë, i cili, që nga vitit 2001 e këndej, na ka ofruar gjithfarë befasite në ‘menunë’ e tij. Për herë të parë, kemi një situatë kur tri entitete politike që kanë marrë pjesë në zgjedhje, që të trijat, janë renditur tek numrat e deputetëve që nisin me 30 dhe përfundojnë me 39 prej tyre. Në një demokraci të etabluar perëndimore, ai që ka më së shumti mandate në Kuvend  (ndërsa në Perëndim me decenie të tëra nuk ka më parti që merr 40 për qind e më shumë vota), ai objektivisht edhe e krijon Qeverinë e Kosovës.

Por, politika kosovare shquhet me ndërlikueshmërinë maksimale të situatave që në parim duken të zgjidhshme, pos tjerash, sepse sa çelë e mëshel sytë, ndodhë ndërrimi i taboreve politike, dhe nxjerrja e kartuçave të kuq  (në shpalljen solemne të ‘vijave të kuqe’), thuajse jemi në ndonjë ndeshje futbollistike.

Këtu, natyrisht, tash e kanë vendin të përmenden apo të na kujtohen kinezët me dijen e tyre të jashtëzakonshme.

Rrëfimi për domosdoshmërinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në Kosovë, u ndërtua mbi mungesën e vendimmarrjes në Qeverinë e Kosovës, që kishte mbrapa vetes, në ‘letër’, së paku, 86 deputetë. Në parim pra, me 86 deputetë, mund të bësh çka të duash në Kosovë, nëse natyrisht ata janë unik dhe përkrahin propozimet e Qeverisë. Mund të ndryshohet Kushtetuta, mund të krijohet Armata e Kosovës, mund të miratohet Rregullorja e re e Kuvendit, mund të hyhet në reforma rrënjësore të të gjitha llojeve, përfshirë këtu edhe sistemin zgjedhor, i cili ky që është, vetëm sa do të na e komplikojë gjithnjë e më shumë situatën pas-zgjedhore. Nëse Kosova dëshiron stabilitet politik, nuk është vështirë të mbërrihet tek një sistem zgjedhor që e mundëson këtë.

Sidoqoftë, dhe tani mund të flitet më lirisht se nuk jemë më në fushatë, mandati i kaluar i ekzekutivit dhe legjislativit u harxhua në konfrontime politike të të gjitha llojeve, të cilat në instancë të fundit, sollën paralizën në adresimin dhe zgjidhjen e çështjeve kryesore të këtin vendi dhe të qytetarëve të tij.

Por ja që fjala e numrave, si rezultat i zgjedhjeve të 11 qershorit, paralajmëron një tjetër situatë kur na kujtohet ai mbi-emri i të gjithë rrjedhës pas-zgjedhore të verës, vjeshtës së vitit 2014, apo, nocioni i ngërçit.

Ne nuk jemi aktualisht as politikanë perëndimorë dhe as nuk kemi botëkuptimin kinez, prandaj, shikuar nga perspektiva e sotme, duket që sërish mund të kemi një verë të gjatë politike në vend, që vë në mëdyshje qëllimin kryesor të gjithë politikës kosovare, i cili duhet të jetë funksionimi i plotë i instituciomeve qendrore të Kosovës.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)