Çka parasheh BE-ja për Kosovën? – Lajmi.net
Çka parasheh BE-ja për Kosovën?
Autori: Lajmi.net Opinion 21:05, 4 December 2017
Kosova do ta mirëpresë dokumentin ‘Perspektiva kredibile e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor’, sepse këtu vërtetohet identiteti i jonë si shtet i pavarur dhe konfirmohet që Kosova si shtet e ka vendin në BE.

Shkruan: Blerim Shala

Dokumenti i pagëzuar ‘Perspektiva kredibile e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor’  (‘A Credible Enlargment perspective for the Western Balkans’), i cili si Drafti i 8 nëntorit ka nisë të qarkullojë në instancat më relevante të BE-së, mëton të bëhet dokumenti themelor i cili do të hapë udhë për rrumbullakësimin e hartës politike të BE-së, me përfshirjen në Bashkimin Evropian të gjashtë shteteve të mbetura të kësaj ane të Evropës, apo të: Malit të Zi, Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.

Këto gjashtë shtete, ashtu siç edhe potencohet me të drejtë në këtë Dokument, janë në realitet ishull në Evropë, i rrethuar nga të gjitha anët me shtetet që janë tashmë pjesë e BE-së  (njëkohësisht, edhe të Paktit NATO).  Porosia thelbësore, e cila ndryshe nuk thuhet kund në mënyrë eksplicite në këtë material, por që nënkuptohet thuaja në çdo rresht të ‘Perspektivës kredibile të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor’, është që tani është tejkaluar ajo lodhja e BE-së me zgjerimin e vet, që konsolidimi dhe zgjerimi i BE-së nuk janë procese përjashtuese  (siç është menduar deri vonë), por përkundrazi, ndërmarrje që ndihmojnë njëra tjetrën.

Me gjasë, ky Dokument është pasojë e disa zhvillimeve të rëndësishme në BE, në shtetet kryesore të Evropës, por edhe në Botë.

Kriza e madhe financiare e Greqisë dhe e disa shteteve të tjera  (Portugalisë dhe deri diku e Italisë), pastaj, vendimi i Britanisë së Madhe për ta braktistur BE-në  (pas votimit të Brexit-it, në qershorin e vitit 2016), tensionet në raportet në mes të SHBA-së dhe BE-së pas krijimit të Administratës së Presidentit Trump, ballafaqimi me tendencën kërcënuese të popullizmit në politikat e disa shteteve evropiane, më në fund, mbërritja e sërishme te konkludimi i njohur për decenie me radhë, që objektivisht, nuk ka kurfarë alternative për Evropën pos Bashkimit Evropian, në tërësinë e tyre ndikuan që stabilizimi afatgjatë i BE-së (më në fund), të ndërlidhet edhe me kompletimin e hartës politike të Evropës, me përfshirjen e gjashtësesh të Ballkanit Perëndimor.

Është, pa dyshim, edhe një tjetër argument shumë i fuqishëm që ndikoi te ky përfundim i instancave më relevante të BE-së, që reflekton rrjedhën e zhvillimeve tek të gjitha këto gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, gjatë këtij viti, ditët dhe javët e fundit të të cilit po i numërojmë tani. Që prej atij trenit laraman të Serbisë, në janar, që synonte të provokojë rëndë autoritetet e Kosovës dhe qytetarët e saj, e tutje, duke përfshirë këtu edhe pasojat e grushtshtetit të dështuar në Mal të Zi, rrëmujën në Kuvendin e Maqedonisë, problemet e lloj-llojshme në funksionimin e pushteteve në Serbi dhe në Shqipëri, më në fund, duke mos harruar gjendjen e pashpresë në të cilën gjendet tutje Bosnja dhe Hercegovina, u kuptua pra që puna në Ballkanin Perëndimor nuk ka përfunduar, që stabilizimi dhe qëndrueshmëria e këtyre shteteve nuk është një proces i pakthyeshëm, dhe që për më shumë, puna këtu do të kryhet vetëm kur flamujt e këtyre gjashtë shteteve do të ngriten në hyrje të selisë së BE-së në Bruksel.

Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, sot e kësaj dite përbën një front politik, diplomatik, për më shumë, edhe të sigurisë midis Federatës së Rusisë dhe Perëndimit, gjë që natyrisht është një motiv shtesë i Brukselit për të treguar dhe konfirmuar shtrirjen e vet territoriale si Bashkim Evropian. Derisa të mos ndodhë kjo, do të vazhdojë dhe madje, do të intensifikohet përplasja në mes të BE-së  (dhe Perëndimit në përgjithësi), dhe Federatës së Rusisë.

Në bazë të ‘Perspektivës kredibile të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor’, mund të mirret vesh që Mali i Zi dhe Serbia, diku në vitin 2023, do të mund të marrin ftesën për tu bërë anëtarët e 28-të dhe 29-të të BE-së  (Britania e Madhe pritet të dalë formalisht pas dy vitesh nga BE-ja), ndërsa formalisht, këto dy shtete do të inkuadroheshin në BE në vitin 2025.

Katër shtetet e tjera, të mbetura të BE-së, sipas këtij Dokumenti, ndahen në dy grupe: Në atë grupin më të avansuar, të cilin e përbëjnë Shqipëria dhe Maqedonia, dhe në grupin e fundit që ka në ‘anëtarësinë’ e vet Kosovën dhe Bosnjën dhe Hercegovinën. Kosova në këtë dokument përmendet në disa raste, duke ia njohur, që në ballë të tij, identitetin e shtetit të pavarur, sepse ndryshe nuk do të flitej për WB6 (apo gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor), pastaj, duke konstatuar që Kosova ka Marrëveshjen e MSA-së (apo SAA, Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit), e cila sipas këtij materiali, është mjeti kyç për të ecur para në drejtim të BE-së. Natyrisht, si moment kryesor për përshpejtimin e këtij procesi, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, është arritja e Marrëveshjes gjithpërfshirëse për normalizimn e marrëdhënieve midis këtre dy shteteve  (apo të

Marrëveshjes ligjësisht obligative), e cila sipas orarit të paraparë në këtë dokument, pritet të përmbyllet në vitin 2019. Kjo do të thotë që dy vitet e ardhshme do të jenë gjithsesi vendimtare për fatin e bisedimeve të Brukselit, gjë që do të duhej të ishte një shtytje shtesë për skenën politike kosovare që të trajtojë në mënyrën më të mirë të mundshme sprovën e bisedimeve me Serbinë.

Sidoqoftë, ashtu siç kemi qenë rast i veçantë thuaja në të gjitha çështjet e tjera, për të mirë dhe për të keq, ashtu është edhe kur bëhet fjalë për vetë procesin e integrimit të Kosovës në BE. Për dallim prej pesë shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor, ne përballemi me një barrë të madhe të quajtur pesëshja e shteteve të BE-së që akoma nuk e ka njohur shtetin e Kosovës  (Greqia, Sllovakia, Rumania, Spanja dhe Qipro). Marrëveshja gjithpërshirëse me Serbinë, e cila sipas ‘Perspektivës kredibile të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor’, duhet të nënshkruhet më së largu në vitin 2019, do të duhej të sjellte njohjen e këtyre pesë shteteve, sepse në të kundërtën, Kosova si shtet, nuk mund ta fitojë statusin e shtetit kandidat për hyrje në BE, gjë që është hapi tjetër me radhë pas zbatimit të plotë të MSA-së.

Megjithatë, në rrethanat aktualisht mbizotëruese, ky konkludim që ndërlidhë tejkalimin e plotë të kësaj pengese të madhe me rrugëtimin e përshpejtuar të Kosovës në BE me

Marrëveshjen që do të nënshkruhej me Serbinë, duket tepër optimist, veçmas kur bëhet fjalë për Spanjën, e cila po përballet me telashet e saja të brendshme. Objektivisht, dëmi politik dhe diplomatik që i është shkaktuar Kosovës nga pesëshja e BE-së që nuk e ka njohur Kosovën, është më i madh, madje, shumëfish më i madh se sa dëmi të cilin na e ka bërë Federata e Rusisë që prej vitit 2008  (kur u bë shteti i Kosovës), deri më tash.

Sidoqoftë, Kosova do ta mirëpresë dokumentin ‘Perspektiva kredibile e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor’, sepse me te vërtetohet identiteti i jonë si shtet i pavarur dhe konfirmohet që Kosova si shtet e ka vendin në BE. Por, ky rrugëtim i Kosovës kah BE-ja, pos që kërkon reforma rrënjësote politike, ekonomike dhe legale, do të varet në masë të madhe edhe nga gatishmëria e Brukselit për të ushtruar një lidership të mirëfilltë në dobi të sendërtimit të plotë të këtij dokumenti shumë të rëndësishëm për fatin e Ballkanit Perëndimor dhe për stabilizimin afatgjatë të BE-së.

Fjalët kyçe: Blerim Shala

Fotolajm

‘’Në makinë, ka njerëz që nuk do të takohen kurrë më!’’
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Bow Master Japan
  • Play Stealth Sniper
  • Play 8 Ball Pool
  • Play Urban Basketball