Çka na bashkon ne?

Ndër ne kemi humbur aftësinë dhe vullnetin për tu grumbulluar rreth të vërtetave që i kemi trashëguar si shoqëri, dhe atyre të tjerave, të cilat i kemi krijuar së bashku pas rrënimit të Komunizmit, pas zhbërjes së ish-Jugosllavisë.

Opinion

02/06/2016 11:42

Kemi rrjete sociale me bollëk në Kosovë. Kemi medie sa të duash në vend. Kemi mundësi të panumërta që në mënyrë të pakufishme të flasim, të shkruajmë, të shpegojmë, të komunikojmë. Dhe të gjitha këto në fund bëhen një lëmsh i madh, të cilit kush ndër ne nuk mund t’i bie në fije, apo, të cilën as me Ligj dhe me Kushtetutë, as me të mirë dhe as me të keq, nuk mund ta tëfillojë.

Jemi bërë të paparë.

Në Komunizëm, të cilin edhe ata që e kanë përjetuar e kanë harruar me fjalë, por ende, në masë të madhe, e praktikojnë me mendësi, droja e pushtetarëve përherë ka qenë që kur e vërteta bëhet publike për vetë këtë sistem shoqëror-politik, pashmangshëm do të ndodhë ndryshimi. Komunistët, si ateistë të shpallur që ishin, duket që i besonin asaj të moçmes biblike për çlirimin që vjen nga e vërteta. Prandaj, e vërteta në atë sistem zëvëndësohej nga propaganda, dhe ata që provonin të tregonin domethënin e mirëfilltë të realitetit, përfundonin të izoluar  (në burg), ose edhe sakrifikoheshin  (humbnin jetën).

Në këtë Demokracinë kosovare, së pari, nuk ka gjasa që dikush ta fshehë të vërtetën për gjendjen ku jemi si vend, si shoqëri, si popull. Aftësitë propaganduese, në anën tjetër, janë fare modeste, dhe ndër ne, sikur të varej shitja e ‘Coca Cola-s’, prej marketingut tonë (politik), do të ndodhte bankrotimi i saj. Për më shumë, ndër ne kemi humbur aftësinë dhe vullnetin për tu grumbulluar rreth të vërtetave që i kemi trashëguar si shoqëri, dhe atyre të tjerave, të cilat i kemi krijuar së bashku pas rrënimit të Komunizmit, pas zhbërjes së ish-Jugosllavisë. A nuk janë të vërteta të kësisojta, të bëra prej të gjithë neve, sepse të gjithë ne kemi investuar shumë për krijimin e tyre, çlirimi i Kosovës, shteti i Kosovës, demokracia kosovare? A nuk është një e vërtetë e trashëguar toleranca fetare në Kosovë, kultivimi i tillë i besimit, i fesë, që nuk pretendon të ngulfatë askë tjetër që nuk beson, apo që ka një tjetër kult fetar?

A nuk është një e vërtetë përbashkuese politike dhe shoqërore domosdoshmëria e inkuadrimit të Kosovës në Paktin NATO dhe në Bashkimin Evropian?

Nëse jemi të sinqertë ndaj vetes, mbase asgjë nuk na ka bërë pjestarë të një kolektiviteti unik, viteve të fundit. Madje as hyrja e Kosovës në UEFA dhe në FIFA, nuk kaloi pa shpjegime të çuditshme dhe të mbrapshta, të cilat mëdyshnin vetë ekzistencën e shtetit të Kosovës.

Në Kosovë, në mënyrë të çoroditur, për çdo ditë të lume, Non-stop pra, ndodhë ‘prodhimi’ i ‘të vërtetave’ të cilat fund e krye kanë karakter ditor, janë të mbushura emocione dhe marrëzi, dhe synojnë që disi të ndryshojnë një baraspeshë shoqërore, e cila edhe ashtu mezi po mbahet këndejpari, megjithë financimit qindra miliona erosh që po na vjen nga Perëndimi, prej familjarëve tonë.

Rrëfimi i fundit që dëshmoi (sërsish), këtë gjendje të gabuar që karakterizon ambientin publik ndër shqiptarët e Kosovës, përkon me gjithë atë rrebesh shpjegimesh dhe interpretimesh që iu qepën një shkrimi që u botua kohë më parë në ‘The New York Times’. E tëra çfarë u pa në këtë rast, i përngjet atij kallëzimi të vjetër për një kafene ballkanike, të mbushur dëng, kur dritat fiken dhe kur nisë përleshja masive kur më nuk dihet kush kë po e godet dhe pse. Kur ndizen dritat, natyrisht, të gjithë janë të shtrirë për toke, fitues nuk ka kund, veç humbës.

Deri dje, apo, para se të botohej ky shkrim, llogaritej që në Kosovë po mëkëmbet disi, me ligj dhe me politikë, ajo e vërteta/ vlera tradicionale për tolerancën fetare. Por pas debateve që pasuan në dy javët e fundit, po del që ne as nuk dimë ku jemi, në këtë temë shumë të ndishme për ne, si shqiptarë të Kosovës, dhe as nuk dimë se kah duhet të shkojmë.

Në realitet, ky konkludim nuk qëndron. Gjërat janë më mirë se sa që jemi përpjekur, fuqimisht, të dëshmojmë në këto 10-15 ditët e mbrama. Apo, ne jemi më të mirë, si kolektiv, se sa që ka dalë nga gjithë ato akuza që ia drejtonim njeri tjetrit, në baza individuale.

Sidoqoftë, nuk duhet shpresuar fare që ne do të mbledhim mend pas gjithë kësaj rrëmuje që ia bëmë vetes.