Çka është sot Kosova?

Do të bëheshim fuqi bërthamore sikur bomba atomike të prodhohej me fjalë të kota. Apo, jemi të parët në Botë me mesataren e fjalëve të kota për kokë banori.

Lajme

07/11/2014 16:04

A ka këtu Strategji dalëse? A ka fare Strategji, apo ka vetëm dalje? Apo, a ka, më së shumti, ikje?
Në politikën kosovare. Për te bëhet fjalë.

A ka këtu apati, mllef, përshtatje, asnjanësi, pakënaqësi që nuk do të merr trajtat dot të shfaqjes së politikës në sheshe, vendin më të preferuar të shqiptarëve, për dhjetëra vjet? Apo, a ka, më së shumti, ikje?
Në shoqërinë kosovare. Për të bëhet fjalë.

Çka është sot Kosova?

Vend i hutuar, i lodhur, i mërzitur, në rrëzim e sipër, në të gjitha aspektet, që po provon me ngulm, në të gjitha mënyrat, të ikë nga vetvetja, nga fati i tij që do të duhej të ishte përcaktuar një herë e përgjithmonë, me 17 shkurt të vitit 2008?

Henry Kissinger, në librin e tij më të ri, mbase testamentar, “World Order”  (“Rendi Botëror”), flet edhe për një moment në takimet e tij sekrete, të vitit 1971, me Zhou Enlain, të Dytin në hierarkinë e Kinës komuniste.

Në përpjekjen për ta përmbledhur, me një fjali të vetmen botëkuptimin e Mao Zedongut, liderit komunist kinez, për Rendin Botëror të asaj kohe, ai i kishte thënë Kissingerit: “Gjithçka nën Qiell është në kaos, situata është e shkëlqyeshme…”.
Kjo fjali, në fakt, ishte edhe një lloj reference në traditën mijëvjeçare kineze.

Tek ne, në Kosovën e vitit 2014, gjithçka është kthyer në rrëmujë, dhe situata ka tendenca shkatërrimtare.

Hiq stabilitetin e Euro-s, dhe hiq mungesën e Ebolë-s, të gjitha lajmet e tjera që po qarkullojnë në Kosovë në javët e fundit po i shërbejnë, mbase, pa dashje, një qëllimi të përbashkët: Diskreditimit politik të Kosovës, si shtet.

Dhe ky diskreditim ka bashkuar vendorët dhe ndërkombëtarët.

EULEX-i, objektivisht, ka marrë fund si Mision, shumë para mesit të vitit 2016, kur do të duhej të përmbyllej, formalisht, kjo kaptinë finale e Misionit të Sundimit të Ligjit, që doli që nuk është as Mision, as Sundim, as Ligj. Veç harxhim marramendës financiar për Evropën, harxhim i madh i kohës për ne kosovarët, harxhim më i madh i mundshëm i kredibilitetit të BE-së në Kosovë, por edhe në vetë Brukselin.

Ka dëme që mund të riparohen lehtë, ka të tilla që lënë gjurmë për shumë kohë, mbase, që kurrë nuk tejkalohen.

Këtu, me këtë Mision të EULEX-it, ka humbur kuleta, fytyra, dinjiteti, por mbi të gjitha emri politik i vetë Evropës, dhe shpresa e kosovarëve që Evropianët mund të na ndihmojnë shumë në krijimin e binarëve të Rendit dhe Ligjit, pa të cilat asnjë shoqëri nuk mund dot të ecë para.

Politika kosovare, ajo që do të duhej të merrte trajtën e institucioneve të reja qendrore, patjetër do të duhet të nisë bisedimet me BE-në, çka mbetet për tu bërë tash e tutje, pas kësaj teposhtëze të pandalshme të EULEX-it.

Qytetari i rëndomtë i Kosovës, ka mbërritë, në këtë vjeshtën e ftohtë të këtij viti, në një situatë kur i ka humbur të thuash besimi në gjithçka.

Të sëmurit që janë trajtuar deri vonë në klinika publike dhe private, nuk po dinë çka u është instaluar në trupin e tyre, në kuadër të intervenime të kardiologëve.

Të shëndoshët po tmerrohen prej spitaleve, prej gjendjes së tyre dhe prej mundësisë që të trajtohen atypari.

Të punësuarit nuk po e dinë a do të marrin rroga me 1 shkurt të vitit të ardhshëm. Të papunët mezi po presin me u vendosë regjimi pa viza i udhëtimit në Zonën e Schengenit, për të shkuar te të afërmit e tyre në Evropë (e të gjithë ne kemi dikë atje), në kërkim të ndonjë pune.

Të gjithë qytetarët po përjetojnë reduktimet në furnizim me rrymë, dhe të gjithë janë në ethe të faturave që do të mbërrijnë për pagesë në fund të muajit.

Të gjithë flasim ditë dhe natë që nuk bën kështu të vazhdojmë si qytetarë, si familje, si shoqëri, si vend, dhe kur zgjohemi të nesërmen në mëngjes, nuk bëjmë gjë tjetër, pos vazhdojmë të flasim.

Do të bëheshim fuqi bërthamore sikur bomba atomike të prodhohej me fjalë të kota. Apo, jemi të parët në Botë me mesataren e fjalëve të kota për kokë banori.

Duket që do t’i mbetet Baba Dimrit të na sjellë dhuratën në trajtë të Qeverisë së Re. Dhe të një ndryshimi në ne dhe ndër ne.

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)