Çka është normalitet në Kosovë?

Nuk ka çka të flitet për çfarëdo normaliteti në politikën kosovare, nëse Kuvendi i Kosovës nuk do ta merr rolin e vet që ka, sipas Kushtetutës së vendit.

Opinion

17/03/2016 11:50

Në një pyetje që i është bërë për ta definuar, nga këndi i tij shkencor, njeriun normal, neurologu i njohur anglez, Oliver Sacks është përgjigjur në këtë mënyrë. ‘Për ne  (neurologët), njeriu normal është dikush që mund ta tregojë rrëfimin për veten. Pra, ai njeri duhet ta dijë prej nga ka ardhë, ai duhet ta njoh të kaluarën e tij, dhe ai duhet ta ketë aftësinë e të gjeturit në kohë dhe në hapësirë. Ai di çka ka mësuar në jetë. Ai ka jetën e tij tash, ai ka personalitetin e vet, dhe më në fund, ky planifikon edhe të ardhmen e vet.’

Përshkrimi që sipas Sacks-it vlenë për një njeri normal, është shumë i qëndrueshëm edhe kur ta zëmë, ne si shqiptarë të Kosovës, do të përpiqeshim të përshkruajmë kategorinë e normalitetit në shoqërinë kosovare.

Nuk ka, natyrisht, nocion a dukuri që është mëdyshur më së shumri në gjashtë-shtatë muajtë e mbramë në politikën kosovare, se sa normaliteti.

E gjithë beteja politike në Kosovë, është prezentuar tash e sa kohë si një luftë për kushtet që duhet të përmbushen, në mënyrë që të kthehet normaliteti në Kosovë, i cili, në njërën prej formave kryesore të saj, nënkupton funksionimin e rregullt të Kuvendit të Kosovës, si dhe të gjitha institucioneve të tjera në këtë vend.

Normaliteti në një politikë dhe në një vend, natyrisht, ka domethënin e shëndetit për një individ. Pa te, pa shëndetin për njeriun dhe pa normalitetin për shoqërinë, nuk ka çka të flitet fare për gjërat e tjera.

Por ndër ne, beteja politike dhe mediatike për kthimin e normalitetit, shfaqi dallimet e mëdha në vetë kuptimin e nocionit të tij, të domethënies së normalitetit.

Nuk ky dyshim që ka politikanë të tillë në Kosovën e tashme, të cilët kanë synime dhe ambicje për ta ndërtuar një normalitet të ri në këtë vend, duke instaluar një Normë të re, një rend të ri kushtetues dhe ligjor, i cili do ta ndryshonte thelbësisht gjithë atë trashëgimi politike dhe historike të Kosovës, që prej vitit 1990, kur u krijua Lëvizja për pavarësinë e Kosovës, e deri më sot. Dihet çfarë pasojash do të kishte për Kosovën poqëse prishet Norma themelore e këtij shteti.

Po ashtu, dihet që ndër ne ka politikanë që mendojnë që normaliteti si kategori themelore politike dhe shoqërore, nënkupton, mbi të gjitha, ruajtjen e një Status Quo-së, e cila midis tjerash, karakterizohet me mbështetjen e fortë verbale për Sundimin e Ligjit dhe luftimin e korrupsionit, por me mungesën e veprimeve konkrete për ta ndryshuar thelbësisht gjendjen në këtë fushë. Ndërsa ne nuk mund ta mbërrimë asnjëherë atë normalitetin e kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja në Kosovë, pa të cilin nuk mund të shpresojmë fare që mund të ndodhë hyrja e Kosovës në Paktin NATO dhe në BE, nëse nuk jemi të gatshëm që të përballemi me të vërtetën që normaliteti si vendnumërim është i dëmshëm për Kosovën.

Këtu na hynë në punë tash leximi i sërishëm i definicionit të Sacks-it të një njeriu normal.

Kosova si politikë dhe si shoqëri, e ka një rrëfim të vetëm, jo dy as dhjetë të tillë. Dihet cili është kallëzimi i saj për veten, në këtë fazën finale të çlirimit dhe të krijimit të shtetit të Kosovës. Nuk mund të synohet ndryshimi i këtij rrëfimi, sepse diçka e tillë është tepër e rrezikshme për të gjithë ne.

Kosova e di fare mirë të kaluarën e saj, dhe ajo e di, gjithsesi, cili është vendi i saj në rajon dhe në Botë, cilat janë synimet e saj si shoqëri dhe si politikë. As këtu, nuk ka dhe nuk mund të ketë dy-tri opsione, të cilat mund të shqyrtohen në Planet e tona për ardhmërinë e këtij shteti.

Të gjitha këto janë fare të qarta, së paku për një qytetar të rëndomtë të këtij  vendi, nëse ende ka dilema tek politikanët e Kosovës.

Nga ky pikëshikim, nuk ka çka të flitet për çfarëdo normaliteti në politikën kosovare, nëse Kuvendi i Kosovës nuk do ta merr rolin e vet që ka, sipas Kushtetutës së vendit.

Ai duhet të jetë në përbërje të plotë, me përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike.

Kuvendi funksional është kusht kçy për normalitetin dhe stabilitetin e Kosovës. (Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)