Çka dinte Vllasi për deklaratën Thaçi –Vujanoviq ?

Avokati Azem Vllasi i cili ka përkthyer deklaratën e presidentëve Thaçi e Vujanioviq, ka thënë se Kosova duhet të jetë mirënjohese ndaj Malit të Zi për mundësinë e dhënë.

Lajme

21/02/2018 19:26

Në IMAZH të RTK-së, ai tha se para nënshkrimit të marrëveshjes së re për demarkacion me Malin e Zi kishte sugjeruar që marrëveshja të ishte në dy gjuhët zyrtare.

Vllasi deklaroi se kishte propozuar një gjë të tillë një ditë para se presidenti Hashim Thaçi të udhëtonte për në Podgoricë për të nënshkruar marrëveshjen.

“Kjo u zhvillua si shpejt dhe u bë mirë, pasi një ditë ose dy kryeministri malazez ishte në Kosovë për vizitë. Duhet falënderuar Malin e Zi për mundësinë që i ka dhënë Kosovës për korrigjimin e marrëveshjes për demarkacion. Kur e pashë tekstin, si qytetar u gëzova, thashë më në fund gjetëm një rrugëdalje nga kjo temë, me të cilën jemi bllokuar tash e tri vite dhe kemi bllokuar edhe qytetarët, kemi prishur imazhin e vendit, për çka shpërtheu marrja në Kuvend, mu bë qejfi”, ka thënë Vllasi.

“Ajo deklaratë e përbashkët ka peshën e vet, sepse pala tjetër na ka ndihmuar dhe janë pajtuar që t’i vihet pikë kësaj çështje. Tani qeveria e ka aprovuar ligjin për ratifikim, kjo juridikisht qëndron drejt dhe dallon nga ai i pari i vitit 2015. Atë kohë plasi marrja e belaja dhe çështja mbeti aty ku ishte, u bë gazi i botës me këtë temë. Tani ligji për ratifikimin e marrëveshjes ndryshon për aq sa përmendet deklarata e dy presidentëve dhe komisioni i Shpëtim Bulliqit”, deklaroi Vllasi.

Avokati Azem Vllasi bëri apel që nesër të ratifikohet marrëveshja, dhe sipas tij nesër kundër mund të votojnë vetëm ata që punojnë kundër interesave të shtetit të Kosovës.