Çka bëjnë çetnikët në Krimea?

Flamuri me kafkë në të, simboli i nacionalistëve serbë, është parë të valëvitet në Krimea. Grupe çetnikësh serbë janë parë në Krime. Ata kanë shkuar atje për të ndihmuar “vëllezërit e tyre rusë”. Lexoni rrëfimin e një pjesëtari të bandave çetnike në Krimea.

Lajme

16/03/2014 22:29

Burra me mjekra dhe të kamufluar me uniforma dhe me kapele të zeza, të pajisur me thika janë parë duke kontrolluar rrugët që lidhin kryeqytetin e regjionit të Krimeas me portin Sevastopol.

Flamuri me një kafkë në të, një standard i nacionalistëve serbë, dhe flamuri serb valëvitet përkrah atij rus- kthen kujtime të ngjarjeve të turbullta të viteve 1990 në Ballkan.

Bratislav Zivkovic, është njëri prej komandantëve të lëvizjes së çetnikëve serbë, një grup ultranacionalist, që i ka rrënjët në një epokë tjetër. Ata kanë ardhur në Krimea, që t’u ndihmojnë vëllezërve të tyre rusë.

Grupi i Zivkovic ka pesë aktivistë të cilët kanë për detyrë të bërë patrulla ku qarkullojnë edhe Kozakët, të cilët udhëtuan për në Krime nga Rusia, në pritje të referendumit.

“Motivimi ynë ishte që t’i ofronim mbështetje morale popullit rus të Krimesë, sepse edhe ata kanë të drejtë për referendum dhe asgjë më shumë”.

“Përgjatë shekujve, rusët na kanë ndihmuar ne, ata na kanë mbështetur, edhe tash për Kosovën, prandaj ne erdhëm këtu që t’u ndihmojmë atyre”, thotë Zivkovic.

Çetnikët serbë e kanë marrë emrin dhe traditat nga kryengritësit të cilët luftuan kundër otomanëve në shekullin 19 dhe në fillim të shekullit 20. Ata fituan famë të keqe në vitet 1990, kur njësitet e tyre kryen krime të rënda kundër popullsisë jo-serbe në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë.

Zivkovic thotë se ai dhe njerëzit e tij janë të gatshëm që të luftojnë në mënyrë që ky gadishull i banuar me shumicë ruse, të fitojë të drejtën e saj që t’i bashkohet Rusisë.

“Çdo incident i mundshëm që mund të ndodh do të shuhet po aq shpejt. Ne jemi duke shpresuar se edhe nëse bëhet fjalë për luftim apo dhe konflikt të armatosur, ajo të jetë e shkurtë sepse popullata është ruse dhe gadishulli është po ashtu rus”.

Në këtë pikë ndalese ku është ky grup çetnikësh, rusët përshëndesin ndihmën e tyre.

“Serbët janë okupatorë, okupatorë të vërtetë. Unë nuk kam asnjë emër tjetër për ta”, tha vozitësi i quajtur Asan.