Çitaku: Kosovarët duan drejtësi për viktimat, pavarësisht nga përkatësia etnike

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku ka shprehur falënderim ndaj Kombeve të Bashkuara për mbështetjen e pandëprerë ndaj vendit tonë.

Lajme

07/02/2018 17:41

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Çitaku ka folur për të arriturat  dhe sfidat e Kosovës që nga paslufta.

Duke përmendur rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, ambasadorja ka thënë se institucionet kosovare kanë të meta, por janë një shoqëri mjaftë e pjekur.

“Të gjithë duhet ta shikojnë mënyrën se si shoqëria dhe mediat kosovare reaguan për vrasjen e Ivanoviqit. Përkundër asaj që ka ndodhur në të kaluarën kjo vrasje nuk nxiti urrejtje etnike në Kosovë. Në fakt qytetarët serbë dhe shqiptarë ranë dakord që për këtë vrasje fajin ta mbajë krimi i organizuar në veri të Kosovës. Autorët e këtij krimi duhet të sillen para drejtësisë”, është shprehur Çitaku, transmeton lajmi.net.

Sa i përket Dhomave të Specializiuara, ajo ka thënë se Kosova ka një rekord shembullor të bashkëpunimit me gjykatat ndërkombëtare dhe lokale të krimeve të luftës.

“Më shumë shqiptarë janë ndjekur dhe janë dënuar për krime lufte në Kosovë sesa serbët. Diçka është jashtëzakonisht e gabuar me këtë fakt. Njerëzit në Kosovë duan drejtësi për të gjitha viktimat pavarësisht nga përkatësia etnike e tyre. 80 deputetë votuan për krijim e Gjykatës Speciale, 43 nënshkrime për të pasur një debat rreth saj nuk mund ta zhbëjnë atë”.

Çitaku ka diskutuar edhe për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë duke thënë se ata tashmë kanë një status të rregulluar ligjërisht dhe mund të përfitojnë nga pensionet e tyre./Lajmi.net/