Çitaku e para në Luginë

Ministrja Vlora Çitaku ka realizuar vizitën e paralajmëruar në Luginën e Preshevës. Ajo ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të ndihmuar shqiptarët e Luginës.

Lajme

04/11/2013 16:45

Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, ka realizuar vizitën e paralajmëruar në Luginë të Preshevës, duke u bërë kështu zyrtarja e parë kosovare që merr këtë hap.

Në kuadër të kësaj vizite Ministrja Çitaku u takua me Kryetarin e Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, ku kanë diskutuar për gjendjen aktuale në këtë komunë.

Çitaku ka deklaruar se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar të mbështesë shqiptarët e Luginës së Preshevës

“Jam shumë e lumtur që po e vizitoj Preshevën, për herë të parë në cilësinë e Ministres së Qeverisë së Republikës së Kosovës”.

“Qeveria jonë është e vetëdijshme për situatën e shqiptarëve në komunën tuaj dhe ne do ta bëjmë të pamundurën që në çdo aspekt të ndihmojmë dhe përkrahim qytetarët tuaj. Dua ta dini se nuk jeni vetëm”.

Mustafa tha se vizita e Ministres Çitaku do të ndikojë në shtimin e përkushtimit të Prishtinës zyrtare ndaj komunave në Luginën e Preshevës.

Në këtë udhëtim, Çitaku ka vizituar edhe shkollën fillore “Selami Hallaçi” ku bëri një donacion simbolik të librave shkollorë për nxënësit e kësaj shkolle dhe me këtë rast bëri publik zotimin e Qeverisë së Kosovës për financimin e themelimit të një Biblioteke për qytetarët e kësaj zone.

Më pastaj, Ministrja Çitaku përfundoi vizitën e saj me një takim me të rinjtë shqiptarë nga shoqëria civile e kësaj treve.