Cili ishte rezultati i deputetëve që garuan për kryetar të komunave?

Në zgjedhjet lokale që u zhvilluan dje, kishte një numër të deputetëve të cilët ia kishin mësyrë që të bëhen kryetar të komunave.

Lajme

23/10/2017 19:15

11 deputetë ishin nga të gjitha partitë politike që u kandiduan nëpër komuna të ndryshme të Kosovës.

Gjashtë prej tyre kanë arritur që ta sigurojnë balotazhin, kurse pesë tjerë do të duhet të kënaqen me ulësen e Kuvendit pasi nuk kanë marrë vota të mjaftueshme për tu ballafaquar në raundin e dytë, shkruan lajmi.net

I vetmi deputet që në balotazh shkon si i pari, është Qëndron Kastrati i Vetëvendosjes i cili në garë për Kamenicën ka siguruar 37.42% të votave.

Si të dytit në balotazh garës për të parin e komunës do t’i futen edhe Arban Abrashi në kryeqytet i cili ka fituar 35.87% të votave, Mytaher Haskuka në Prizren që mori mbi 22% të votave të qytetarëve.

Me 27.34% të votave në balotazh do të jetë edhe Sami Kurteshi në Gjilan, kurse  Gani Dreshaj do të jetë përballë Haki Rugovës në balotazhin për Istog, pasi ka marrë mbi 37% të votave.

Edhe Mimoza Kusari-Lila e Atlernativës do të jetë në balotazhin e Gjakovës, përballë Ardian Gjinit.

Por, gara për zgjedhje lokale nuk u eci mirë disa deputetëve të Kuvendit.

Zafir Berisha në Prizren, Faton Topalli në Ferizaj, Driton Çaushi në Gjakovë, Sali Salihu në Viti e Zenun Pajaziti në Gjilan nuk kanë arritur që të paktën ta sigurojnë raundin e dytë,

Pra nga pesë deputetë, tre janë të Vetëvendosjes që nuk përmbushën pritshmëritë e partisë.

Ndryshe, balotazhi për zgjedhje lokale zhvillohet më 19 nëntor. /Lajmi.net/