Cilësia e miellit: Analizat të bëra në Itali dalin në rregull

Rezultati i analizave të miellit që janë dërguar në Itali për ekzaminim, kanë dalë të jenë në rregull.

Lajme

20/03/2015 16:57

Lajmin për indeksonline e ka konfirmuar një zyrtar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, duke mos pranuar t’i përmendet emri. Ky zyrtar ka treguar se analizat e miellit që janë kërkuar të dërgohen në një shtet të Bashkimit Evropian nga Kryeministri Isa Mustafa, kanë dalë të jenë në rregull.

“Analizat e miellit kanë dalë me standarde shumë normale dhe nuk ka asnjë dyshim që është ngritur ditëve të fundit”, ka thënë ky zyrtarë i AUV.

Analizat i ka tashmë ky institucion, mirëpo ende nuk i ka publikuar. Arsyen e mospublikimit të analizave nuk e ka treguar as Qeveria e Kosovës që është kontaktuar nga portali Indeksonline.

AUV-ja është institucion që funksionon në kuadër të zyrës së Kryeministrit dhe analizat janë kërkuar të kryhen në një shtet të Bashkimit Evropian, pasi ishte vu në dyshim profesionalizmi i këtij institucioni. Mirëpo edhe në Itali analizat e miellit kanë rezultuar të jenë në rregull.