Cilat janë opsionet pas mbylljes së termocentralit Kosova A më 2017

Termocentrali “Kosova A” duhet të mbyllet deri në fund të vitit 2017, është zotuar Republika e Kosovës më marrëveshjen e Komunitetit të Energjisë së Evropës Juglindore.

Lajme

15/06/2014 16:48

A ka mundësi zbatimi i kësaj marrëveshjeje apo në mungesë eventuale të energjisë elektrike, ky termocentral mund të vazhdojë punën?

Udhëheqës të Korporatës Energjetike të Kosovës dhe përfaqësues të shoqërisë civile japin vlerësime të ndryshme rreth mbylljes së termocentralit. 

Edmond Nulleshi, drejtor ekzekutiv për shërbimet në KEK, tregon se nëse ky termocentral mbyllet në periudhën e përcaktuar, atëherë  Kosova do të përballet me mungesë të energjisë elektrike.

“Termocentrali ‘Kosova B’, për t’i përmbushur kërkesat mjedisore, pra të komunitetit, është obliguese që në vitin 2017 dhe 2018 të shkojë në një rehabilitim madhor, që si konsekuencë do të ketë përgjysmim të prodhimit edhe në ‘Kosova B’“.

“Pra, duke marrë parasysh këtë faktor dhe faktin se termocentrali ‘Kosova A’, që duhet të mbyllet në vitin 2016, do të kemi 2.5 milionë megavat orë mungesë energjie elektrike në vit”, tha Nulleshi për Radion Evropa e Lirë.

Përveç mungesës eventuale të energjisë elektrike, në rast të mbylljes së këtij termocentrali, shqetësues mbetet edhe numri i punëtorëve të cilët do të mbesin pa punë, e që llogaritet të jenë mbi 1,500, thotë ai.

Mirëpo, përfaqësues të shoqërisë civile vazhdimisht kanë kërkuar mbylljen e termocentralit “Kosova A”, ashtu siç është zotuar Republika e Kosovës.

Visar Azemi, koordinator në konsorciumin e shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm, KOSID, konsorcium ky që vazhdimisht është marrë me çështje energjetike, konsideron  se ky termocentral duhet të mbyllet sa më shpejt.

Sidomos pas aksidentit të fundit, që ka ndodhur javën e kaluar, ku pas një shpërthimi tre persona kanë humbur jetën dhe 14 të tjerë janë plagosur, sipas Azemit tregon qartë vjetërsinë e pajisjeve në këtë objekt.

Azemi thekson se Kosova mund t’i shmanget deficitit energjetik në periudhën e caktuar, kurse punëtorët e termocentralit “Kosova A” të mos mbesin pa punë, pasi mund të trajnohen për segmente tjera.

“Si KOSID kemi kërkuar që të shkohet sa më shpejt në programet e efiçiencës së energjisë, t’iu jepet mundësia investitorëve që të investojnë në burime të ripërtërishme të energjisë për të mbuluar këtë vakum energjetik”.

“Ndërsa, kemi kërkuar që ata punëtorë, të cilët mund të mbesin pa punë nga mbyllja e TC ‘Kosova A’, të trajnohen dhe t’iu jepet mundësia që të punojnë në segmente tjera, siç është efiçienca dhe burimet e ripërtërishme”, tha Azemi.

Sidoqoftë, investimet e fundit që janë bërë në këtë termocentral dhe me lëshimin në punë të sistemit hidraulik të bartjes së hirit, ndotja e ambientit  është eliminuar pothuajse në tërësi.   

Se a do të mbyllet apo jo “Kosova A” varet nga vendimi i Qeverisë së Kosovës. Por, ajo çka dihet është se vitin e kaluar ky termocentral ka prodhuar rreth 35 për qind të tërë energjisë së prodhuar në Kosovë.

Kapacitetet prodhuese të të gjitha njësive të termocentralit “ Kosova A” arrijnë në 450 megavat orë energji.