Cila festë!? Çfarë imazhi!?

Sot kemi shtet ku sundon ligji! Gënjeshtër! Të gjithë e dinë se shteti është i kapur! Sundojnë klanet e ineresit dhe bashibuzukët e tyre, që s’i lejojnë qytetarët t'i gëzohen as Ditës së Pavarësisë!

Opinion

16/02/2016 20:55

Republika e Kosovës, tetë vjet pas shpalljes së Pavarësisë është shteti i vetëm në Ballkan pa Ushtri; pa liberalizim vizash me Bashkimin Evropian; ndër katër-pesë vendet me nivelin më të lartë të korrupsionit në Evropë; me shëndetësi të kriminalizuar, arsim të politizuar dhe drejtësi të kapur; me rreth 50 përqind të popullatës të papunë; me 15 përqind që jetojnë në varfëri të skajshme; me 150 mijë migrantë ilegalë gjatë dy vjetëve të fundit; dhe me më së shumti luftëtarë (për kokë banori) në “Shtetin Islamik”!

Këto të dhëna nuk janë llafe kafenesh, por fakte që në vazhdimisë janë injoruar! Është rezultat i keqqeverisjes nga kjo klase politike prej 16 vjetësh. Përgjegjësi e pushtetarëve të sotëm sidomos, të cilët kujtohen të flasin për sundimin e ligjit dhe imazhin e Republikës vetëm atëherë kur u rrezikohet pushteti fitimprurës i “shtetit të kapur”, të kapur pjesërisht prej tyre dhe pjesërisht prej oligarkëve të tjerë politikë dhe parapolitikë, të cilët kanë vjedhur e uzurpuar pasurinë e Kosovës.

“Edhe unë pajtohem se ka kapje të shtetit, jo aq nga strukturat politike sa nga oligarkë politikë e parapolitikë, të cilët kanë përvetësuar e privatizuar nën kërcënime pas luftës e janë pasuruar shumë, shfrytëzojnë pronat publike si me qenë të tyre, e disa që kanë bërë krime nga më të ndryshmet, të cilët synojnë të diktojnë se kujt duhet dhënë tenderët, se kush duhet të udhëheqë firma e pasuri të caktuara, se me kënd duhet marrë vesh për Trepçën e pasuritë natyrore…”!

Ky paragraf në thonjza nuk është i ndonjë analisti, por fjalë të Isa Mustafës, kryeministrit, i cili me veprimet ose mosveprimet e tij, është njëri prej kapësve të shtetit! Dhe për “kapjen”,  (uzurpimin e pronës publike), një ditë para tij foli edhe kryeparlamentari Kadri Veseli! Që të dy, tash kur mllefi i qytetarëve është në rritje, u kujtuan se “ka ardhë koha për transparencë dhe sundim të ligjit”! Por duket se janë vonuar! Tashti është një situatë e ngjashme me kohën e zgjedhjeve lokale në Prishtinë, kur qytetarët votuan Shpend Ahmetin për të rrëzuar Isa Mustafën, jo për të sjellë në pushtet Vetëvendosjen! Edhe sot, pak kush brengoset për fatin e kësaj opozite, mirëpo përditë e më shumë qytetarë e duan fundin e kësaj qeverie!

Pse kështu? Çfarë kanë bërë pushtetarët gjatë këtyre dy vjetëve të fundit të qeverisjes që ta ndryshojnë imazhin e Kosovës, përveç pajtimit me këresat e Serbisë dhe kapjen e shtetit!? Pse këta opozitarë s’e kanë mbështetjen e nevojshme vendore as ndërkombëtare për ta rrëzuar këtë pushtet që po degradon shtetin!? Kush prej tyre, në pozitë apo opozitë, ka dëshmuar në Prokurori për milionat që iu vodhën Kosovës prej 12 qershorit 1999 (harrojini milionat e “Trepërqindëshit” e “Vendlindja Thërret”)!? Apo të gjithë janë engjuj të Kosovës dhe akuzohen pa fakte për kapjen e shtetit, madje edhe nga Komisioni Evropian (me termin e zbutur “ndikim politik”, ndikim politik në gjyqësor, në tenderë, në privatizim…”)!?

Në 8-vjetorin e Shpalljes së Kosovës shtet sovran dhe të pavarur, shumica e qytetarëve me të drejtë pyesin: Cila festë!? Çfarë imazhi!? Qytetarët s’e dinë se çfarë saktësisht duhet të festojnë më 17 shkurt!? Kapjen e shtetit!? Apo të imagjinojnë sikur jetojnë në vitin 1999 dhe po festojnë 12 Qershorin – Ditën e Çlirimit!? Të kthehen mbrapa, në 2008-ën, të festojnë Shpalljen e Pavarësisë!? Të harrojnë të zezat që kanë ndodhur gjatë viteve të pasluftës!? Apo të hanë “bukë e long” edhe më 2016-ën, dhe nëse nuk janë të kënaqur me qeverisjen, të vazhdojnë ikjen nga vendi i tyre, të sillen vërdallë rrugëve të botës, ashtu të dëshpëruar, pa dinjitet kombëtar!?

Kosova është shtet, por aty ende nuk sundon ligji! Aty sundojnë klanet e ineresit dhe bashibuzukët e tyre, që s’i lejojnë qytetarët t’i gëzohen as Ditës së Pavarësisë! Aty liderët janë habitur pas kapjes së shtetit dhe nuk ka kush ta çojë në vend mesazhin se: Kosova nuk mund të ekzistojë duke imituar Serbinë; duke privilegjuar apo duke mos i pranuar serbët si qytetarë të barabartë të Republikës; duke toleruar Serbinë dhe Turqinë të shtrijnë ndikimin e Lindjes për të sfiduar Perëndimin; duke u përdorë si eksperiment nga Përednimi për të balancuar raportet e veta me Lindjen! Sepse, dihet historikisht, të paktën qysh në epokën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, shqiptarët kanë luftuar t‘i ruajnë vlerat e tyre perëndimore!

Qytetarët e Kosovës, në Ditën e Pavarësisë janë të lirë të festojnë, ose edhe të protestojnë për festë! Është pozita dhe opozita që të mërkurën, në vend të garës për kapjen e shtetit ose për cilëndo arsye tjetër, qoftë kësaj radhe edhe për të mirën e vendit, të kujdesën për qytetarët dhe të ruajnë Republikën e Kosovës, të mos nxisin tensione, të mos hedhin Molotov mbi policinë, të mos shantazhojnë me gjoja thirrjet “Allahu Ekber”, por të këndellën dhe të kujtojnë edhe fjalët që dy vjet më parë ua tha të dyja palëve ish ambasadorja amerikane, Tracey Ann Jacobson…

Pozita dhe opozita, herët apo vonë duhet të ulën në tavolinë dhe t’i bëjnë lshime njëra-tjetrës! Sepse edhe ky ngërç politik ka zgjidhje! Ndoshta! Opozita duhet të mos pengojë zgjedhjen e Presidentit në sallën e Kuvendit; Qeveria duhet të jep dorëheqje (për kapje të shtetit, që ka sjellë të gjitha të këqijat tjera, përfshi marrëveshjen antikushtetuese për Asociacionin); të krijohet Qeveri Teknike, të bëhet reforma Zgjedhore; reformat në Drejtësi, dhe brenda gjashtë muajsh të mbahen zgjedhjet parlamentare! Janë hapa pa rrezik dhe të mëdhenj për shtetin e Kosovës, por që mund të bëhen vetëm nga burrshtetasit!

Qytetarë të Kosovës,

Gëzuar 17 Shkurti – Dita e Pavarësisë!

(Autori është opinionist i lajmi.net. Qëndrimet e tij nuk pasqyrojnë domosdosmërisht politikën editoriale të redaksisë së portalit)