Cila është mosha ideale për regjistrim të fëmijëve në shkollë që ata të kenë sukses?

Duhet që fëmijën ta regjistroni në shkollë në moshën 6-vjeçare apo një vit më vonë? Sipas studimit të fundit, nëse jeni në dilemë nëse është herët për ta futur fëmijën në shkollë, atëherë shtyjeni një vit

Lifestyle

27/03/2017 00:24

Ne të gjithë e duam suksesin në jetë, por kur bëhemi prindër gjithçka duam është që fëmijët tanë të jenë të suksesshëm dhe bëjmë gjithçka që ata ta arrijnë sa më lehtë këtë gjë. Por sipas një studimi të fundit ka një vendim të rëndësishëm që duhet ta marrin prindërit që ka efekt të drejtpërdrejt te suksesi i fëmijëve, sidomos për sa i përket shkollës. Duhet që fëmijën ta regjistroni në shkollë në moshën 6-vjeçare apo një vit më vonë? Sipas studimit të fundit, nëse jeni në dilemë nëse është herët për ta futur fëmijën në shkollë, atëherë shtyjeni një vit. Fillimisht është vërtetuar nga observime të vazhdueshme që për sa i përket performancës akademike fëmijët që hyjnë në shkollë janë më mirë. Fëmijët më të mëdhenj janë më të përgjegjshëm dhe ç’është më e rëndësishmja, janë më të vëmendshëm ndaj orës së mësimit sepse i kanë ezauruar dëshirat tejet fëmijërore për lojëra dhe qejf dhe e dinë fare mirë në mendjen e tyre se shkolla është diçka e rëndësishme dhe se ata duhet t’i përkushtohen seriozisht.

Është vënë re se nëse fëmija juaj mbush 6 vjeç në janar apo në shkurt, rrjedhimisht në momentin që do hyjë në klasën e parë do të jetë ndër fëmijët më të mëdhenj në klasë. Por psikologët thonë se kjo do t’i bëjë ata të kenë më shumë vetëbesim sepse do mendojnë se mosha më e madhe do t’i bëjë më të mirë nga të tjerët, ndërkohë që edhe fizikisht ata janë më të fortë dhe shfaqen më stabël në shëndetin e tyre. Pra ajo që do të thotë ky studim është se fëmijët duhet të kalojnë një pjesë (ose të gjithë) të moshës 6-vjeçare ende në kopsht apo siç quhet tani parashkollor. Aty fëmija juaj do të ketë mundësi të jetë më i fortë psikologjikisht dhe fizikisht, çka do ta bëjnë atë të jetë mbi mesataren e fëmijëve të tjerë të klasës së parë. Gjithashtu tendenca e suksesit, sidomos atij akademik, vihet re që në klasën e parë. Një fëmijë i shkathët dhe i suksesshëm në klasën e parë me shumë mundësi do të vazhdojë të jetë i tillë, por që ju ta lini këtë proces të rrjedhë gradualisht duhet t’i ndihmoni fëmijët tuaj duke i dhuruar kohë të mjaftueshme për të kaluar fëmijërinë e tyre pa stresin dhe ngarkesën e shkollës, të paktën deri në moshën 7- vjeçare, që më pas ata të jenë gati siç duhet për t’i hyrë një sistemi që s’ka kurrë fund, ai i dijes dhe shkollimit.