Cila është fuqia e ushtrive të Ukrainës dhe Rusisë?

Miratimi i kërkesës së Vladimir Putinit nga Parlamenti rus për t’i dhënë leje ushtrisë që të hyjë në territorin e Ukrainës ka futur këto dy vende pranë një konflikti të armatosur. Por sa janë të barabarta ushtritë e dy vendeve në një përplasje të mundshme?

Bota

01/03/2014 22:06

Në kohën kur raportet në mes të Ukrainës dhe Rusisë janë tensionuar në nivelin e shpërthimit të një konflikti, menjëherë shtrohet pyetja se sa janë të barabarta ushtritë e dy vendeve që të përballen në mes vete.

Dy vendet dalin nga Bashkimi Sovjetik (BRSS) që së bashku me SHBA’të ishin dy shtetet me fuqinë më të madhe ushtarake në glob.

Mirëpo, cila është fuqia aktuale e armatës ukrainase, marrë parasysh që Federata Ruse është vendi që ka trashëguar shumicën e ushtrisë së mbetur nga ky ish-gjigant i armatimit.

A do të ketë mundësi që të shohim një përballje ushtarake në mes të forcës numër një dhe dy të dala nga BRSS…?

Të dhënat flasin se aktualisht numri i personelit ushtarak aktiv në Ukrainë arrin deri në 159,000 ushtarë dhe 1000.000 rezervistë.

Ndërsa, Rusia paraqitet më dominuese në këtë aspekt. Ushtria e Rusisë numëron 766,000 personel aktiv me 2,035,000 rezervistë.

Ndërsa në të gjithë këtë nuk është përfshirë edhe teknologjia ushtarake të cilën, me gjasë Rusia mund ta ketë më të avancuar.

Kërcënimi për një konflikt të armatosur vije në kohën kur Dhoma e Lartë e Parlamentit të Rusisë, ka miratuar propozimin e Presidentit të Rusisë për t’i vendosur trupat ushtarake në rajonin ukrainas të Krimesë, gjë që ka ngjallur kundër-reagimet e Kievit zyrtar.