Çiftet rrëfejnë sfidat dhe për paratë e shpenzuara nga dëshira për të pasur një djalë

Në shqyrtimin gjyqësor në rastin e gjinekologes Gjina Zeqiri, e cila nga Prokuroria akuzohet për veprat penale të trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor si dhe atë të transplantimit të kundërligjshëm dhe trafikimit të organeve dhe qelizave njerëzore, në cilësi të dëshmitareve dëgjuan 17 persona.

Lajme

18/04/2018 23:31

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë edhe Ilfete Baxhaku e Agron Devaja, ndërsa ndaj dy shtetasve turq, Ersan Donmezi dhe Handan Namlë, është veçuar procedura pasi që janë shtetas të huaj dhe nuk ndodhen në Kosovë.

Prokuroria Ilfete Baxhakun e akuzon se ka kryer veprën penale të transplantimit të kundërligjshëm dhe trafikimit të organeve dhe qelizave njerëzore ndërsa Agron Devajën për veprën penale ‘zbulim i fshehtësisë zyrtare’.

Nga këta 17 persona, të cilët u dëgjuan në cilësi të dëshmitarëve, 14 prej tyre deklaruan se në klinikën “Global Hospital”, kanë shkuar për t’u trajtuar në mënyrë që t’u mundësohej që të kishin fëmijë, e disa prej tyre deklaruan se në klinikë kanë shkuar për arsye sepse kishin pasur fëmijë vetëm të gjinisë femërore dhe se dëshironin që të kishin një fëmijë të gjinisë mashkullore.

“Unë kam pasur nevojë për një fëmijë të gjinisë mashkullore dhe përmes medieve jam njoftuar se në spitalin “Global Hospital”, kryhet kjo punë dhe kam shkuar drejt në spital e kam biseduar me doktoreshën Gjina, ia kam sqaruar kërkesën time, më ka premtuar se unë e kryej këtë punë, ma ka treguar çmimin, jam pajtuar me çmim dhe e kemi filluar procedurën. E kemi paguar shumën 4.200 euro, plus terapia, pagesën e kemi bërë përmes llogarisë bankare”, tha dëshmitari A.K., i cili kur u pyet nëse e ndjente vetën të dëmtuar u shpreh se e konsideron vetën të dëmtuar si nga ana morale ashtu edhe nga ana materiale. Kurse për dëmin material të shkaktuar tha është diku afër 7.700 e deri në 8.000 euro.

Shumica nga dëshmitarët deklaruan se herën e parë të trajtimit nuk kishin pasur sukses, prandaj u është dashur që t’i nënshtroheshin edhe një herë, kurse herën e dytë nuk kanë paguar për trajtim por vetëm për shpenzimet e terapisë.

“Herën e parë nuk ka pasur sukses, sepse nuk ka pasur embrione të mjaftueshme, dhe pastaj e kemi filluar edhe një herë tretmanin që nga fillimi. Kjo terapi më ka kushtuar rreth 8.000 euro”, u shpreh dëshmitarja Sh.R.

Dëshmitarët gjatë dëshmisë së tyre deklaruan se ata e kishin pasur të caktuar terminin për tërheqje të qelizave por që pas intervenimit të inspekcionit dhe Policisë, kjo procedurë kishte mbetur në gjysmë.

“Në atë kohë kur ne e kemi pasur terminin për tërheqjen e qelizave vezë atëherë është bërë një tollovi që nuk mund ta përshkruaj. Janë futë inspeksioni dhe na kanë thënë se kanë gjetë parregullsi. Ne i kemi lutë që të mos na i ndërpresin terapinë sepse ishin në rrezik shëndetësor, pasi e panë shqetësimin dhe rrezikun për shëndetin tonë të njëjtit i thanë doktoreshës po të japim kohë që t’i kryesh këto shërbime dhe të mos rrezikohet shëndeti i pacienteve dhe pastaj doktoresha u zhduk”, deklaroi dëshmitarja Sh.R., e cila tregoi se pas mbylljes së spitalit atyre u ishin ofruar spitale të tjera që i kishin ofruar shërbimet e tyre, dhe se për shkak të rrezikut për jetë u është dashur që ta vazhdonin trajtimin në spitalin “Bahceci”, por që prapë nuk kishte pasur sukses që të mbeste shtatzënë.

Ndërsa dëshmitarja Xh.V. deklaroi se gjithë trajtimin mjekësor e kishin bërë tek dr. Gjina ndërsa për Ilfete Baxhakun tha se kishte qenë punëtore e klinikës e cila ua ka marrë të dhënat personale. Për terapinë tha se e kanë blerë në klinikë edhe përkundër faktit se ka qenë më shtrenjtë se sa në barnatoret jashtë klinikës për shkak se dr. Gjina u kishte kërkuar ashtu.

“Gjatë gjithë këtij trajtimi mjekësor ka qenë Gjina, ka pasur edhe mjekë të tjerë por të tjerët nuk i di, ajo ka qenë gjithnjë me ne. Ilfeti vetëm na i ka marrë të dhënat personale. Ne jemi furnizuar edhe me barëra edhe jashtë klinikës mirëpo kur kemi shkuar në klinikë doktoresha na ka thënë se këto barëra nuk kanë efekt dhe na i ka ofruar barërat që kanë qenë në klinikë të cilat kanë qenë të njëjta me ato që i kishim blerë jashtë klinikës, por ishin akoma me të shtrenjta, derisa në barnatore jashtë klinikës kushtonin 10 euro në klinikë kushtonin 13 euro. Pagesën për barëra e kemi bërë te ilfetja”, tregoi dëshmitarja e cila shtoi se shuma totale e shpenzimeve për këtë trajtim ka arritur deri në 10 mijë euro.

Madje njëra nga dëshmitaret M.H, tha se pasi që policia kishte intervenuar në klinikë, pas disa ditësh ata i kishin lajmëruar nga klinika dhe u kishin thënë se për shkak të ndërprerjes së rrymës qelizat ishin prishur. “Herën e dytë kur kemi shkuar ka ndërhyrë policia dhe pas disa ditësh na është thënë se është ndal rryma dhe qelizat janë prishë. Dhe pas kësaj dite nuk e kemi vizituar klinikën më”.

Njëra nga dëshmitaret deklaroi se Ilfete Baxhaku e kishte telefonuar dhe i kishte thënë ta bënte pagesën një ditë më herët si kusht për t’iu nënshtruar operacionit.

“Kam pas p.sh të nesërmen me iu nështru operacionit e Ilfetja e ka telefonuar bashkëshortin tim dhe ka kërkuar që të bëhet transferimi i parave 2.400 euro se përndryshe gruan nuk ta fusin në operacion”, tha ajo.

Kurse një dëshmitare u ankua edhe për trajtimin e pacienteve dhe kushtet në të cilat tha se punonte spitali.

“Nuk kam pasur sukses. Ka qenë trajtimi shumë i dobët në kushte të jashtëzakonshme që as kafsha nuk trajtohet në atë mënyrë. Në bodrum të klinikës ku temperaturat kanë qenë në -16, nxehja nuk ka punu në kohën kur ne të gjitha femrat ishim në atë podrum gjatë asaj kohe e kanë sjellë mjeshtrin me e rregullu nxehjen”, tha dëshmitarja M.P., e cila shtoi se për shkak të kushteve dhe trajtimit jo të mirë, dëshmitarja tha se e kishte ndërprerë trajtimin dhe edhe përkundër faktit se më pas Gjina Zeqiri i kishte telefonuar dhe i ka ofruar që ta vazhdonte trajtimin edhe pa para, por ajo nuk ka pranuar.

Në mesin e dëshmitarëve u dëgjuan edhe dy persona të cilat thanë se në klinikë kanë qenë në cilësi të donatorëve të qelizave.

“Kam qenë në spital sepse kam shkuar për të dhënë qeliza vezore. Kushtet i kam pas jo të mira ekonomike dhe kam shkuar atje”, tha dëshmitarja S.Sh.

Kurse dëshmitarja tjetër S.B., deklaroi se në klinikë kishte shkuar që të kërkonte punë si pastruese por që më pas ajo ishte takuar me Gjina Zeqirin e cila i kishte ofruar punë si donatore qelizash, të cilën punë tha se e ka pranuar për shkak të kushteve të vështira ekonomike dhe se kishte nevojë për një punë.

“Në klinikë kam shkuar disa herë për të kërkuar punë si pastruese, u takova me drejtoreshën ma tregoi punën si është me u bo donatore, unë e pranova se kisha nevojë për çfarëdo lloj pune. Për këtë shërbim më ka paguar 500 euro. Unë kam dhuruar qeliza dy-tri herë, dy herë jam paguar 500 euro e njëherë 800”, tha ajo.