CIA: Brenda vitit militantëve islamikë iu janë bashkuar 148 shqiptarë

Brenda këtij viti, nga Shqipëria i janë bashkuar militantëve islamikë 148 xhihadistë. Shumë prej këtyre luftëtarëve besohet se tashmë janë pjesë e ushtrisë së Shtetit Islamik. 

Lajme

14/10/2014 12:45

Të dhënat kanë dalë nga Shërbimi Sekret Amerikan, që vlerëson se rreth 15 mijë militantë nga 80 shtete besohet se kanë hyrë në Siri për të rrëzuar regjimin e Bashar al-Assad. Lajmin e bën të ditur prestigjiozja “The Washington Post”, përmes një harte e cila tregon numrin e personave që kanë udhëtuar nga shteti i tyre drejt Sirisë brenda një viti. 

Zyrtarët perëndimore janë të shqetësuar për faktin se çfarë mund të bëjnë këta shtetas kur të kthehen në shtetet e tyre të lindjes. Shifrat e luftëtarëve xhihadistë nga Europa Perëndimore janë marrë nga Qendra Ndërkombëtare e Studimeve për Radikalizimin dhe dhunën politike, ndërsa shifrat e tjera janë nga “The Soufan Group” dhe flasin për një periudhë nga dhjetori i vitit 2013 deri në tetor 2014. 

Vendet që rezultojnë të kenë një numër më të vogël militantësh islamikë janë: Bangladeshi, Kili, Japonia, Malajzia dhe Singapori. Këto shtete nuk janë treguar në hartë.