Chelsea, pjesë e jetës

Frank Lampard thotë se largimi nga Chelsea ka qenë shumë i vështirë. Ai pranon se klubi londinez është pjesë e jetës së tij por sqaron se erdhi koha për të bërë një ndryshim.

Sport

03/06/2014 20:38

Nga kampi përgatitor i Anglisë, Frank Lampard ka konfirmuar largimin e tij nga Chelsea. Mesfushori ka pranuar se e kishte shumë të vështirë të vendos për largim nga Stamford Bridge pas më tepër se një dekade në klub.

Për më tepër ai pranon se gjiganti londinez është pjesë e jetës së tij. Mirëpo, thekson se ka nevojë për një ndryshim të ambientit.

“Ishte shumë vështirë. Pas 13 vjetësh, klubi është pjesë e jetës time”, deklaroi Lampard gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes miqësore kundër Ekuadorit në Miami të mërkurën.

“Vështirë, por erdhi koha për të ndryshuar, klubi ndryshon. Këtu jam i përqendruar vetëm tek Anglia”, u shpreh ai.

Lampard kërkohet në Major League Soccer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës por është përmendur edhe si objektiv i befasishëm i kampionit të ri të Premierligës, Manchester City.