Chelsea nuk do ta parkojë autobusin

Ylli i Atletico Madridit, Diego Costa pret që Chelsea të luajë më hapur në ndeshjen e kthimit në Stamford Bridge, në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve të mërkurën.

Sport

29/04/2014 12:06

Sulmuesi i Atletico Madridit, Diego Costa është optimist se Chelsea nuk do të bëjë një tjetër paraqitje defanzive në ndeshjen e kthimit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Ekipi i Jose Mourinhos u kthye prapa në duelin e parë duke nxjerr një barazim pa gola në Vicente Calderon dhe triumfoi në Liverpool të dielën duke aplikuar taktikë të ngjashme.

Mirëpo, reprezentuesi spanjoll pret që Chelsea të sulmojë më tepër në ndeshjen e kthimit të mërkurën.

“Nuk jam i shqetësuar, është një ndeshje e mrekullueshme, duhet të kënaqemi në të”, deklaroi Costa.

“Do të jetë një duel më ndryshe nga ai në shtëpi, ata duhet të dalin jashtë dhe të sulmojnë më tepër”, shtoi ai.

Atletico Madrid është aktualisht dy fitore larg nga titulli i parë në La Ligë nga viti 1996 dhe Costa ëndërron të festojë trofeun në Vicente Calderon.

“Dua të fitoj ligën dhe do të ishte mirë ta bëjnë para tifozëve tanë kundër Malagas”, u shpreh Costa.

Dy duelet e ardhshme të Atletico Madridit në La Ligë janë udhëtimi në Levante dhe ballafaqimi në shtëpi me Malagan.