Chelsea kthehet tek fitorja, Higuain shënon golat e parë me “blutë”

Chelsea është rikthyer tek fitorja duke shënuar pesë herë për tri pikët kundër Huddersfield.

Sport

02/02/2019 17:51

Skuadra e Maurizio Sarrit pas dy humbjeve radhazi është kthyer që të shënojë fitore të rëndësishme me rezultatin 5:0, ndaj skuadrës së fundit në tabelë.

Serinë e golave në këtë takim e hapi Gonzalo Higuain, i cili njëkohësisht shënoi golin e parë në fanellën e Chelsea,  kur po luhej minuta e 16’ e takimit, shkruan lajmi.net.

Në fund të pjesës së parë, në minutën e 45’ u akordua penallti për Chelsea, ku i saktë nga pika e bardhë u tregua Eden Hazard, i cili vendosi shifrat 2:0.

Në pjesën e dytë “blutë” realizuan edhe tri herë të tjera, me anë të lojtarëve të njëjtë, e që iu bashkua edhe David Luiz.

Ishte Hazard që në minutën e 66’ shënoi për 3:0, kurse vetëm tre minuta më vonë, Higuain shënoi golin e dytë personal dhe të katërtin në këtë takim.

David Luiz në minutën e 86′ vendosi rezultatin përfundimtar 5:0, duke vulosur fitoren spektakolare të londinezëve.

Chelsea ngjitet në kuotën e 50 pikëve dhe mbanë pozitën e katërt me tri pikë më shumë se Arsenal, të cilët kanë një lojë më pak. /Lajmi.net/