Chelsea kërkon ‘Ozilin’ e ri

Menaxheri i Chelseas, Jose Mourinho ka bërë gati një përforcim të ri për afatin kalimtar të verës. Ai është i interesuar për mesfushorin e Hamburgut, Hakan Calhanoglu, i cili është duke u krahasuar me Mesut Ozilin.

Sport

01/05/2014 16:13

Chelsea ka shprehur interesim për transferimin e mesfushorit ofanziv të Hamburgut, Hakan Calhanoglu, i konsideruar si Mezut Ozili i ri.

Menaxheri Jose Mourinho do të bëjë ndryshime në skuadër gjatë verës dhe Calhanoglu është një prej futbollistëve që i pëlqen strategut portugez, ka bërë të ditur tabloidi britanik Daily Mail.

Ylli turk është vëzhguar së fundmi nga skautët e gjigantit londinez. Ai është futbollist me shkëlqim të rrallë në skuadrën e Hamburgut që ka dëshpëruar gjatë këtij sezoni.

Calhanoglu bëri bujë të madhe duke shënuar kundër Borussia Dortmundit nga goditja e lirë prej gati gjysmës së fushës. Ai spekulohet se kërkohet edhe nga disa klube të tjera të mëdha evropiane, përfshirë gjigantët anglezë, Liverpool dhe Arsenal.

Por, Chelsea besohet se ka zhvilluar bisedime paraprake me klubin gjerman duke shprehur gatishmëri të paguajnë rreth 7.5 milionë funte për transferimin e tij. Por, Hamburg kërkon rreth 12 milionë funte.

Paraqitjet fantastike të Calhanoglut kanë zgjuar krahasime mes tij dhe mesfushorit të Arsenalit, Ozil, i cili po ashtu ka prejardhje turke.