Chelsea kërkon Mandzukicin për Luizin

Bayern Munich kërkon transferimin e mbrojtësit të Chelseas, David Luiz. Por, gjiganti londinez, në shkëmbim për yllin brazilian kërkon para dhe sulmuesin e bavarezëve, Mario Mandzukic.

Sport

16/05/2014 10:09

Bayern Munich raportohet se është i gatshëm të ofrojë 30 milionë euro për transferimin e mbrojtësit të Chelseas, David Luiz, gjatë afatit kalimtar të verës.

Mirëpo, gjiganti londinez do ta refuzojë një ofertë të tillë pasi për brazilianin, kërkon sulmuesin e Bayernit, Mario Mandzukic. E përditshmja gjermane Bild ka bërë të ditur se reprezentuesi kroat nuk ka asgjë kundër transferimit në Premierligë, dhe menaxheri i tij  Ivan Cvjetanovic tashmë ka zhvilluar bisedime në Londër.

Andaj, palët thuhet se mund të arrijnë marrëveshje në rast se Bayern shpreh gatishmëri të paguajë rreth 15 milionë euro, dhe të përfshijë në marrëveshje Mandzukicin i cili do të përfundonte në Stamford Bridge.

Ky lajm është kontradiktor me atë që raportojnë mediet spanjolle, sipas së cilave Luiz është shumë pranë transferimit në Barcelonë.

Si do qoftë, ylli brazilian duket se do të largohet sigurt nga Chelsea.