Chelsea i reziston Atleticos

Atletico Madrid barazoi pa gola me Chelsean në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në Vicente Calderon. Vendasit patën më shumë nga iniciativa e lojës por nuk arritën të thyejnë mbrojtjen e ngjeshur të Blues.

Sport

22/04/2014 23:44

Atletico Madrid dhe Chelsea barazuan pa gola në duelin e parë në Vicente Calderon në kuadër të gjysmëfinales në Ligën e Kampionëve.

Skuadra vendase pati më tepër nga iniciativa e lojës, mirëpo nuk arriti të thyejë mbrojtjen e ngjeshur të skuadrës së Jose Mourinhos.

Dueli nisi keq për mysafirët që pas 18 minutash lojë humbën portierin Petr Cech për shkak të një lëndimi, në vend të tij hyri veterani Mark Schwarzer.

Pjesa e parë nuk solli ndonjë rast ideal për shënim me Atleticon më tepër të orientuar në sulm dhe Chelsean e tërhequr me vetëm Fernando Torresin në pjesëfushën e kundërshtarit në tentim të shfrytëzimit të ndonjë kundërsulmi.

Në minutën e 76-të, Gabi kërcënoi nga goditja e lirë mirëpo Schwarzer e dëboi topin.

Vetëm tre minuta më vonë, Arda Turan – i inkuadruar në lojë në minutën e 60-të në vend të Diegos – rrezikoi me kokë por topi shkoi jashtë portës. Në minutën e 73-të, Chelsea bëri edhe një zëvendësim të detyruar.

Qendërmbrojtësi John Terry u largua nga fusha i lënduar, dhe në vend të tij Mourinho inkuadroi Andre Schurrlen, duke kthyer David Luizin nga mesfusha në qendër të mbrojtjes.

Chelsea rezistoi, mirëpo barazimi pa gola detyron skuadrat që të shënojnë në ndeshjen e kthimit në Stamford Bridge për të siguruar finalen e Lisbonës.

E atje nuk do të jenë Frank Lampard, John Obi Mikel te Chelsea dhe Gabi i Atleticos, për shkak të suspendimit.