Chelsea do të blejë sulmues

Jose Mourinho ka konfirmuar se Chelsea do të përforcohet me një sulmues të ri gjatë afatit kalimtar të verës. Menaxheri portugez pranon se tashmë një kohë të gjatë ka identifikuar problemin e skuadrës së tij në repartin ofanziv.

Sport

09/05/2014 18:03

Jose Mourinho ka konfirmuar se Chelsea do të transferojë një sulmues gjatë afatit kalimtar të verës derisa gjiganti londinez synon të rikthehet pas një sezoni pa asnjë titull të fituar.

Mourinho u rikthye në Chelsea në qershor 2013, pas gjashtë vjetësh mungese, por dështoi të sjell ndonjë trofe në edicionin e tanishëm. Portugezi shpeshherë kritikoi opsionet sulmuese të përbëra nga Samuel Eto’o, Fernando Torres dhe Demba Ba që realizuan vetëm 18 gola mes tyre në Premierligë.

Por, Mourinho ka pranuar se do të sjellë një sulmues të ri gjatë verës.

“Sulmuesi është diqka që kemi diskutuar për një kohë të gjatë, shumë të gjatë. Në dhjetor dhe janar, të gjithë ju (mediat) më pyesnin pse nuk po e sjellim një sulmues, dhe unë isha i qartë duke thënë se është një gjë për të cilën jemi duke punuar, jemi duke e përgatitur të ardhmen afatgjate dhe nuk kërkojmë vetëm një zgjidhje të menjëhershme”, deklaroi ai.

“Është normale që do të sjellim një sulmues të ri tani. Kemi sulmues të mirë, futbollistë të mirë, por është proces normal i evoluimit të ekipit. Të gjithë duan që të përmirësohen gjatë afatit kalimtar të verës dhe një fushë në të cilën ne do të kërkojmë të përmirësohemi është pozita e sulmuesit”, u shpreh Special One.