Çfarë tha në gjyq ish-roja e Kallashit

I dyshuari për lëndim të rëndë trupor, Dibran Hoxha, premtoi në Gjykatën e Prizrenit se nuk do ta përsërisë veprën penale.

Lajme

20/06/2018 18:59

Hoxha, dikur rojë e valltares së njohur si Kallashi, tha se nuk pajtohet me masën e kërkuar nga prokurorja Nazan Shero.

“Nuk pajtohem me masën e kërkuar të paraburgimit sepse kur me është ardhë ftesa nga Policia unë vullnetarisht jam dorëzuar në Polici. Me dashtë me ikë kam pasë kohë 3 ditë dhe unë nuk jam njeri që ik”, tha Hoxha në Gjykatën e Prizrenit ku nga Policia u soll i prangosur.

Prokurorja e rastit, Nazan Shero, kërkoi nga Gjykata të caktojë masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarit Dibran Hoxha.

Prokurorja tha se ekziston dyshimi i bazuar se Dibran Hoxha në bashkëpunim edhe me dy persona të tjerë, që tashmë veç gjenden në paraburgim, ka kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor.

Ndërsa, avokati i menaxherit të lokalit të natës “Kobra City”, Avni Berisha, e kundërshtoi kërkesën e prokurores, duke theksuar se nuk ekziston rreziku për përsëritjen e veprës penale dhe se dy familjet janë pajtuar mes vete dhe dje klienti i tij vetë është dorëzuar në Polici. /kallxo.com