Çfarë po ndodh kështu me Bayern Munchenin?

Krizë është fjalë e madhe dhe për një ekip si Bayerni ajo peshon shumë.

Sport

03/10/2018 15:48

Klubi bavarez ka tri ndeshje pa fitore mes Bundesligës e Champions League, ku ka barazuar 2 herë me Augsburgun e Ajaxin në shtëpi dhe ka humbur në Berlin kundër Herthas.

Megjithatë, ekipi i Niko Kovac gjendet në vendin e dytë në kampionat falë shtatë fitoreve në shtatë ndeshjet e para, 1 pikë pas Borussias së Dortmundit, ndërsa nw Champions ndan kreun e Grupit E së bashku me Ajaxin.

Gjithsesi, në Mynih janë të shqetësuar, me skuadrën që duhet t’u rikthehet sa më shpejt fitoreve.

Flitet se te Bayerni futbollistët nuk janë të kënaqur me ndryshimet e shpeshta që bën tranjeri kroat. Vetëm Neuer e Kimmich kanë qëndruar në fushë në 900 minutat e para sezonale. Lewandowski nuk ka luajtur për 120 minuta, Müller 180, Ribery 217 e Robben gati 300. Por edhe lojtarë të tjerë, si James apo Hummels, e kanë pasur të vështirë të gjejnë vazhdimësinë.

Një problem më shumë për ekipin më të titulluar gjerman është Jerome Boateng. Mbrojtësi i qendrës, ka kërkuar largimin që nga vera e vitit 2017, por në fund ka qëndruar në Mynih, pavarësisht interesimit të Manchester United apo PSG.

Në ndeshjet e fundit, 30-vjeçari është dukur sikur po luan pa dëshirë. Ai shkaktoi penalltinë në humbjen kundër Herthas e gaboi shumë herë në pasime të thjeshta në ndeshjen kundër Ajaxit, duke u dhënë hapësirë holandezëve të nisen shpesh në kundërsulm.

Në ndeshjen e ardhshme, Bayern do të ndeshet kundër Borussia Mönchengladbach, e cila në sfidat e fundit ka arritur t’i krijojë mjaft vështirësi ekipit bavarez. Niko Kovac dhe gjithë skuadrës i duhet medoemos fitorja, pasi do t’i shërbente shumë për të hedhur pas krahëve problemet aktuale.