Çfarë po fsheh UEFA nga Kosova?

UEFA nuk dha ndonjë informatë zyrtare për këtë takim, siç nuk dha as lidhur me vizitat që dy zyrtarë të saj kryen në Kosovë më herët këtë vit.

Sport

09/04/2015 11:18

Sot bëhet një muaj prejse drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës u takuan me presidentin e UEFA-s, Michel Platini.

Konfederata evropiane e futbollit, UEFA, nuk dha ndonjë informatë zyrtare për këtë takim, siç nuk dha as lidhur me vizitat që dy zyrtarë të saj kryen në Kosovë më herët këtë vit.

Në FFK vlerësojnë se UEFA po tregon gatishmëri për të gjetur një zgjidhje për futbollin e Kosovës. Por UEFA për këtë zyrtarisht nuk flet asgjë.

Gazeta “Koha Ditore” ka kontaktuar të mërkurën me UEFA-n dhe në këtë organizatë sërish kanë zbuluar pak, përkatësisht shumë më pak se që dihet tashmë, transmeton Koha.net.

“Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, dhe sekretari i përgjithshëm i Federatës, Eroll Salihu, kanë pasur takim disa javë më parë në shtëpinë e futbollit evropian në Nyon me përfaqësuesit e divizionit të UEFA-s për çështje ligjore dhe të divizionit për federata nacionale. Gjatë takimit diskutimet janë fokusuar në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në UEFA, për procesin dhe për hapat konkretë që duhet të merren për këtë çështje. Për këtë çështje nuk kemi ndonjë koment tjetër”, thuhet në një përgjigje të divizionit për media dhe marrëdhënie publike të UEFA-s.