Çerdhet private në Kosovë punojnë pa licenca në mungesë të një Komisioni në MASHT

Dhjetëra kopshte të fëmijëve në Kosovë vazhdojnë të punojnë pa pasur licenca të punës, gjë që është e ndaluar sipas një udhëzimi administrativ të lëshuar Ministria e Arsimit. Drejtoresha e kopshtit “Kids Step” në Prishtinë, Azize Mala, tha për Radio Kosovën se ka dy vite kanë aplikuar për licencim, por ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje nga ana e ministrisë.

Lajme

21/01/2018 18:32

“Në muajin mars të këtij viti, ne i bëjmë dy vite që e kemi hapur kopshtin, mbas një muaji kemi aplikuar për t’u licencuar. Në muajin prill të vitit 2018 i bëjmë dy vite që kemi aplikuar në Ministrin e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe ende nuk kemi marrë përgjigje nga ana e tyre. Sipas vlerësimit tonë ne i plotësojmë kriteret për t’u licencuar dhe ende nuk kemi marrë përgjigje pozitive as negative”, tha Mala.

Ushtruesja e Detyrës së Udhëheqëses Divizionit për Arsimin Privat Parauniversitar në MASHT, Saranda Çeku, tha për RK, se mos licencimi dhe rilicencimi i këtyre kopshteve ka ndodhur për shkak se nuk është duke funksionuar komisioni përkatës për licencim.
“Kopshte të licencuara në nivel vendi me licencë valide janë 67, ndërsa në proces të licencimit dhe rilicencimit janë 55 kopshte institucione parashkollore private. Ka ngecje të procedimi i këtyre lëndëve për shkak të mos funksionimit të komisioneve për licencim dhe rilicencim”, tha Çeku.

Sipas udhëzimit administrativ, kopshtet nuk kanë të drejtë të punojnë pa pasur licencë. Ndërsa ka të tilla që me vite punojnë pa licencë, për arsye të ngecjeve në procedura nga ana e komisioneve nga Ministria e Arsimit, theksoi Çeku.

“As një kopshti i cili nuk është i pajisur me licencë nuk ju lejohet puna . Është udhëzimi administrativ i cili e rregullon çështjen e licencimit dhe rilicencimit të institucioneve parashkollore private. Një ndër kriteret në ketë udhëzim është që pasi institucionet pajisen më licencë, atëherë mund të vazhdojnë punën si institucione private të licencuara”, tha ajo.

Mosfunksionimi i komisioneve për të vizituar kopshtet të cilat kanë aplikuar për licencim dhe rilicencim, po detyron me dhjetëra kopshte në Kosovë që të punojnë në mënyrë të paligjshme.