Çelaj Ahmetit: I keni bllokuar ndërtimet në Prishtinë

Kryetari i PDK-së në degën e Prishtinës, Lirak Çelaj, ka kritikuar kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti se ka bllokuar ndërtimet në kryeqytet, duke dëmtuar buxhetin dhe duke lënë njerëzit pa punë. 


Lajme

05/11/2014 21:13

Çelaj, ka thënë gjithashtu se, Komuna e Prishtinës nuk do të mund t’ia nxjerrë kurrë paratë e Q7-ës së Isa Mustafës. Ai në “Rubikon” të KTV-së, ka kritikuar për shumë premtime të parealizuara deri më tani nga udhëheqja e Shpend Ahmetit.

Ai ka përmendur hartën të cilën Vetëvendosje e kishte dizajnuar për ta bërë në ndihmë të transportit publik në komunë, ndërtimet pa leje e investimet kapitale.

 “Një hartë e transportit publik, e kanë pas dizajnuar, ende s’është bërë. Jam i lindur dhe rritur në Prishtinë dhe nuk e di se ku duhet të pres e në cilin stacion duhet të drejtohem për të arritur diku”.

“Sa i përket ndërtimeve pa leje, ka pasur shumë pak intervenime, dmth Prishtina s’paska pasur probleme me ndërtime pa leje, me aq sa janë rrënuar, disa shtylla, disa mure… Ajo që është rrënuar është punësimi komplet. Ka pasur dëmtim të ekonomisë”.

“Investimet kapitale mendoj se është joserioze. Vetëm 22% të buxhetit të përdoret mendoj se është shumë serioze. Performanca e secilit institucion matet me atë se sa shpenzohet. 22% e realizimit kjo është një problem i madh aq më shumë kur e dimë se Prishtina ka nevojë shumë për investime kapitale”, tha Çela.

I pari i PDK-së në Prishtinë shtoi se është pritur që pushteti i ri në Prishtinë është dashur të jetë më energjik dhe me ndryshime më të thella, të cilat ndryshime ai nuk i sheh.