Çelaj: A është intervistuar Shpend Ahmeti nga hetuesia për “Kodrinën”?

Kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, Lirak Çelaj, ka thënë se Shpendi Ahmeti, kryetari i Prishtinës, ka marrë sot një vendim shumë të dëmshëm për lagjen “Kodra e Trimave 1”. Ai ka thënë se Ahmeti me këtë e ka tradhtuar këtë lagje me planin urbanistik.

Lajme

19/05/2017 13:19

 

Çelaj ka shkruar në Facebook, se Shpend Ahmeti ka aprovuar një plan urban të pazbatueshëm, ku nuk do të lejohet ndërtimi i lartë, i cili, sipas Çelajt, a do të zgjidhte kaosin urban të kësaj lagjeje si dhe gjendjen e rëndë sociale të këtyre banorëve.

“Përkundër kërkesës tonë, grupit të PDK’së, kjo u votua dhe Kodra e Trimave u tradhtua edhe nga kjo qeverisje komunale ashtu sikur nga ajo para saj”, ka thënë Çelaj, shkruan lajmi.net.

Megjithëkëtë, Asambleja Komunale sot e ka pasur para vetës Propozim-vendimin për miratimin  e Planit Rregullues në Mati1, veçmas për “Kodrinën”, por pika nuk ka kaluar pasi që nuk kanë qenë votat e mjaftueshme. Madje Çelaj ka pasur një pyetje për zyrën ligjore ne Asamblenë Komunale.”Proceduralisht kemi thënë se ky Plan nuk është në rregull dhe ka pasur shkelje ligjore kur është nënshkruar Memorandumi nga kryetari Ahmeti dhe kompania. Dua të pyes zyrën ligjore, nëse është intervistuar kryetari Ahmeti lidhur më këtë çështje nga organet e hetuesisë”, ka thënë Çelaj para se të fillonte votimi.

Zyrtari ligjorë është shprehur se nuk e di një gjet ë tillë.

Ndryshe, lajmi.net e posedon këtë propozim vendim të Komunës, i cili është duke dështuar që disa herë.

Arsyetimi i Komunës për këtë vendim:

I VENDIMIT PËR  MIRATIMIN E PLANIT RREGULLUES TË HOLLËSISHËM PËR BLLOQET B17, B18, B19 DHE B 20 – LAGJJA “MATI 1″ 2017-2025

Duke  u bazuar në nenin 17, pika 1 e Ligjit për planifikim hapësinor 04/L-174, dhe në kërkesat e pronarëve të tokave brenda blloqeve B17, B18, B19, B20 në lagjen “Mati 1”, marrëveshjeve të arritura mes tyre dhe investitorëve, Komuna e ka parë të nevojshme dhe të arsyeshme fillimin e hartimit të Planit rregullues të hollësishëm për blloqet B17, B18, B19 dhe B20”, i cili plan do të inkorporohet më pas në Hartën zonale të Komunës së Prishtinës.

Kuvendi i Komunës në mbledhjen e gjashtë, të mbajtur me dt. 29.09.2016, ka marrë vendim për fillimin e hartimit të Planit rregullues të hollësishëm për blloqet B 17, B 18, B19 dhe B 20– lagjja “Mati 1” dhe vendimi është publikuar në faqen zyrtare të Komunës së Prishtinës.

Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria e Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm, duke u bazuar në neni 11, pika 1.6.1 të Ligjit nr. 04/L-174 përmes koordinimit të drejtorive sektoriale dhe burimeve të veta njerëzore,  ka emëruar  ekipin profesional, i cili ka hartuar Planin rregullues të hollësishëm, duke e inkuadruar me modifikimet e duhura edhe propozimin e bllokut “Kodrina”.

Zona për të cilën është  hartuar Plani rregullues i hollësishëm, është zonë e përcaktuar në bazë të Planit zhvillimor komunal, i miratuar nga Kuvendi i Komunës, me nr.01- 031-156871, dt. 27.08.2013 dhe me Planit zhvillimor urban, i miratuar nga Kuvendi i Komunës, me nr. 01-035-181427, dt.24.09.2013. Kjo zonë gjendet brenda Planit rregullues ” Mati 1″, i miratuar në bazë të Vendimit të Kuvendit të Komunës së Prishtinës, 01.nr.35-18186, dt.03.08.2005, i plotësuar dhe ndryshuar sipas Vendimit 01.nr.35-642, dt. 01.04.2010 dhe Vendimit 01.nr.031-1678, dt.20.07.2011.

Zona për të cilën është hartuar Plani rregullues i hollësishëm përfshinë një sipërfaqe prej S= 21.68 ha, e cila zonë përfshinë pjesën e zgjidhjes urbane të “Kodrinës” dhe një pjesë tjetër në pjesën jugore të këtij plani (shih ekstraktet e bashkëlidhura). Parcelat që bëjnë pjesë në këtë zonë shtrihen në kuadër të  Zonës kadastrale Matiçan.

Plani rregullues i hollësishëm ka përcaktuar kushtet ndërtimore sipas Ligjit për Planifikim Hapësinor 04/L-174 dhe Udhëzimit administrativ për zbatimin e Ligjit për planifikim hapësinor mbi elementet themelore të Planit rregullues nr.41, 02/05 (Bazuar në interpretimin e dhënë nga MMPH-ja).

Projektplani rregullues i Hollësishëm është finalizuar dhe Komuna ka përgatitur draftin për ta lënë në dispozicion të publikut, grupeve të interesit, departamenteve dhe agjencive të tjera qeveritare për shqyrtim dhe komentim. /Lajmi.net/