Çeku: Grandi të rrënohet

Kushdo që dëshiron të investojë në Hotelin “Grand”, do të duhet të ja fillojë prej zeros. Objekti që gjendet në zemër të Prishtinës, e që dikur ishte pasqyrë e Kosovës, do të duhet të rrënohet për të investuar në të.

Lajme

23/03/2018 10:05

Kështu propozon edhe ish- Drejtori i Hotel Grandit, Zekë Çeku.

Çeku i cili ishte në krye të Grandit për 11 vite rresht thotë se duhet ti mbeten vetëm shtyllat për të investuar në të, pasi që është dëmtuar goxha shumë dhe është larg standardeve si i tillë.

“Grandit duhet ti mbeten vetëm shtyllat ose të hjeket komplet dhe të fillojë ndërtimi prej fillimit, nëse dëshirohet të investohet më seriozisht”, ka thënë Çeku për Infokusin.

Deklaron se prej fillimit nuk ishte ndërtuar mirë. Thotë se gjatë punës nga kompania  ndërtuese janë bërë 230 lëshime. Edhe sot e kësaj dite, thotë se po ua shohin sherrin këtyre gabimeve.

“Grandi kur është lëshu në punë i ka pas 230 gabime ose lëshime për të cilat sot teknikisht kurrë nuk pranohet  që janë ba gjatë ndërtimit. Ndërsa kontrolli teknik që ka qenë i obligum në atë kohë kurrë nuk e ka pranu për shkak të lëshimeve që janë ba nga ndërtuesit”, thotë Çeku.

Ndërsa, për paralajmërimet e Presidentit të vendit, Hashim Thaçi se në vend të Grandit pritet të ndërtohen “Trump Tower”, ai thotë se po dëgjon për herë të parë. Gjersa shpreson që të vijë një investor serioz, sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që do t’ia sillte namin që e kishte dikur.

Edhe pse thotë se kjo do të kushtonte.

“Dhashtë Zoti të vijë një investitor serioz që do të investonte në këtë hotel, për shkak të lokacionit. Investimet do të jenë shumë të shtrenjta”, thotë me shpresë ish- Drejtori i Grandit.

Çeku deklaron se edhe gjatë kohës sa ai ishte në krye të këtij hoteli, ka pasur të interesuar.

Por, thotë se lokacioni i pa definuar dhe fakti se ishin kompani shoqërore në pritje të privatizimit, ishin arsyet që investitorët u larguan, pasi që në këtë gjendje nuk patën guxim të investonin.

Ndryshe, në Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike nuk i kanë mohuar paralajmërimet e Presidentit për investime nga Trump-i. Thonë se ka pasur interesim nga kompanitë amerikane, por ndonëse nuk japin detaje nëse edhe ajo ka shprehur interesim.

Por, në anën tjetër në Agjencinë Kosovarë të Privzatizimit e mohojnë një gjë të tillë. Thonë se nuk ka pasur interesim nga Kompania e Presidentit të SHBA-së.

Në garë me shtetin e Kosovës për këtë hotel, është edhe zëvendës kryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Kompania e tij, “MabCo Contructions” ka paditur Qeverinë e Kosovës, në arbitrazh ndërkombëtarë, përkatësisht Ministrinë e Drejtësisë nga e cila kërkon njohjen e investimit prej mbi 5.1 milionë euro në këtë hotel.

“Grand Hotel Prishtina” është ende në pritje të investitorëve qoftë të huaj e qoftë vendor, por që do t’ia kthenin namin që kishte në fillet e tij. /Infokusi