Çekia dhe Sllovakia paralajmërojnë padi kundër BE-së për refugjatët

Liderët e Republikës çeke dhe sllovake kanë dërguar një mesazh se do të padisin Bashkimin Evropian, në qoftë se ata ua imponojnë kuotat për refugjatët.

Bota

19/09/2015 15:57

Udhëheqësit e të dy vendeve thanë se do ta padisin BE-në në qoftë se Brukseli javën e ardhshme me shumicë votash do t’ju imponojë kuota të detyrueshme për shpërndarjen apo përkujdesin e 120.000 refugjatëve shtesë.

Gjithashtu, Polonia ka thënë se nuk dëshiron të flasë për numra, për aq kohë sa dikush nuk ofron shpjegim se si do të ndajnë refugjatët nga emigrantët.

Kryeministri sllovak, Robert Fico tha se qeveria e tij nuk do të respektojë kuotat madje edhe nëse, siç tha, Gjermania dhe vendet të tjera i pranojnë. Zëvendës Kryeministri çek, Pavel Belobradek gjithashtu tha se Çekia do të padisë BE-në në Gjykatën Evropiane në Strasburg, nëse ata i imponojnë kuota.

“Mendoj se do të parashtrojmë një ankesë pranë Gjykatës Evropiane në Strasburg për shkak se nuk është e mundur që t’na imponojnë diçka kundër vullnetit tonë. Kjo është e komplikuar dhe do udhëheqim luftë ligjore brenda BE-së” tha Belobradek, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas mendimit të tij, një nga zgjidhjet duhet të jetë mbrojtja më efikase e kufirit të jashtëm Shengen të BE-së.

Ministri i jashtëm gjerman, Frank-Walter Stenimeier këtë javë sugjeroi se me votat e Bashkimit Evropian (BE) të vendoset shpërndarja e refugjatëve që vijnë në Evropë. Në një intervistë me gazetën gjermane, “Passauer Neue Presse”, Stenimeier propozoi një mënyrë për vendet anëtare të BE, të cilat kundërshtojnë shpërndarjen, të detyrohen që të marrin refugjatë.

“Është e pamundur që Gjermania, Austria, Suedia dhe Italia të mbajnë barrën e pranimit të refugjatëve që vijnë në Evropë”, tha Steinmeier.

Përndryshe, disa vende të BE-së, si Hungaria, Polonia, Çekia dhe Sllovakia, kundërshtojnë ashpër idenë e shpërndarjes së refugjatëve sipas kuotave.

“Nëse nuk mundet ndryshe ta bëjmë këtë, ne do të duhet të marrin në konsideratë mundësinë e votimit me shumicë të cilësuar të vendeve të BE-së,” tha Ministri gjerman.

Sipas traktateve evropiane, votimi me shumicë të cilësuar, kërkon që 55 përqind të vendeve të BE-së që përfaqësojnë të paktën 65 përqind të popullsisë të votojnë këtë masë, e cila më pas do të duhej të zbatohet në të gjitha 28 vendet e BE-së.

Takimi i ministrave të brendshëm evropianë të 28 shteteve anëtare të BE-së është caktuar të mbahet më 22 shtator në Bruksel.