Casillas mposhtet pas 952 minutash

Goli i jashtëzakonshëm nga vija e 16 metërshit nga Klaas-Jan Huntelaar në ndeshjen ndërmjet Schalkes dhe Real Madridit, e zhvilluar mbrëmë, që përfundoi 6:1, i ka dhënë fund pamposhtësisë së Iker Casillas. Në fakt, portieri spanjoll nuk ishte mposhtur plot 952 minuta, me një total prej 10 ndeshjesh, 2 në Ligën e Kampionëve dhe 8…

Sport

27/02/2014 12:30

Goli i jashtëzakonshëm nga vija e 16 metërshit nga Klaas-Jan Huntelaar në ndeshjen ndërmjet Schalkes dhe Real Madridit, e zhvilluar mbrëmë, që përfundoi 6:1, i ka dhënë fund pamposhtësisë së Iker Casillas.

Në fakt, portieri spanjoll nuk ishte mposhtur plot 952 minuta, me një total prej 10 ndeshjesh, 2 në Ligën e Kampionëve dhe 8 në Copa del Rey.

Portieri, që përdoret nga trajneri Carlo Ancelotti vetëm në Champions dhe në Kupë, nuk kishte pësuar gol nga nëntori i vitit të kaluar.

Pasi e kishte pësuar një gol në minutën e 38-të të ndeshjes ndaj Galatasarayt, nga ana e Umut Bulut, Casillas e ‘gozhdoi’ portën e tij për afro 1000 minuta, duke e kaluar rekordin e Abel Resinos së Atletico Madridit, i cili në sezonin 1990/91 ishte ndalur me 924 minuta.

Por, Resino e mban rekordin më të mirë në La Liga, me 1275 minuta pa pësuar, një rekord vështirë i arritshëm nga Casillas, duke e pasur parasysh se në këtë kompeticion, Ancelotti e preferon qe një kohë portierin Diego Lopez.

Casillas nuk ishte mposhtur ndaj Copenhagen në Champions, për të vazhduar më pas me tetë ndeshje në Copa del Rey: në dhjetor ardhje-vajtje kundër Olimpic de Xativa, në janar në sfidat e dyfishta kundër Osasuna e Espanyol dhe në shkurt dy derbi me komshinjtë e Atleticos.

Rasti i Casillas është vërtetë i çuditshëm. Ai është titullar i padiskutueshëm në Kombëtaren e Spanjës, ndërkohë një rezervist luksi në Real Madrid.