Car Dushani midis Shkupit

Përmendorja e Car Dushanit përjetësohet në mes të Shkupit, aty ku për herë të parë u shpall car i Serbisë, në periudhën më të vështirë për shqiptarët e Ballkanit.

Lajme

04/12/2013 11:23

Në kuadër të projektit “Shkupi 2014”, në sheshin e kryeqytetit të Maqedonisë është ngritur përmendorja e Car Dushanit, një sunduesi serb, i cili – sipas historianëve – gjatë shekullit XIV kishte pushtuar të gjitha trojet shqiptare, duke kryer masakra të shumta ndaj popullsisë shqiptare.

Dikur mund t’i jenë dridhur eshtrat nga shqiptarët (thotë kënga) por tani, figura e tij përjetësohet në mes të Shkupit.

Se çfarë rëndësie ka Car Dushani për historinë e Maqedonisë nuk është e qartë, por që paraqet provokim për shqiptarët, nuk ka asnjë dyshim.

Historiani Vebi Xhemaili ka pritur me trishtim këtë lajm. Ai thotë se është e palogjikshme në ditët kur ne jemi nisur për Evropë të ngremë përmendoren e një sundimtari të ashpër mesjetar.

“Është me të vërtetë një lajm trishtues, të ngresh përmendore midis Shkupit i cili ka qenë pushtues të këtyre trojeve gjatë sundimit të tij. Është e dëmshme, është e palogjikshme të shënohet dhe të ngrihet shtatorja e këtij sundimtari të ashpër mesjetar në ditën e sodit”.

“Edhe pse ne të gjithë anojmë kah Evropa, sot ngremë përmendore të atyre pushtuesve të cilët kurrë nuk ia kanë dashur të mirën këtij populli. Prandaj është e papranueshme për shqiptarët, por edhe për popujt e tjerë, të ngrihet përmendore e Car Dushanit”

BDI’ja nuk ka dashur të komentoj në lidhje me vendosjen e përmendores së Car Dushanit në Shkup.

Ndërsa për ata që e përdorin fjalën “car” në kontekstin e mirë, ja një historik i shkurtër i tij;

Car Dushani morri fronin mbret i Serbisë duke rrëzuar nga pushteti babin e tij, e më pas urdhëroi vrasjen e tij me varje. Në vitin 1346 pikërisht në Shkup u shpall Car i Serbisë.

Gjatë 24 viteve në krye të shtetit serb, Car Dushani pushtoi të gjitha trojet ku jetonin shqiptarët duke filluar me Kosovën, Shqipërinë, Shkupin e Janinën. Shqiptarët për gjatë gjithë kohësh e kundërshtuan regjimin e Dushanit.

Në projektin Shkupi “2014” janë paraparë të ngriten 3 përmendore të vetme shqiptare, por ato vazhdojnë të mos vendosen.

Ministria e Kulturës nuk shpjegon simbolikën e vendosjes së Car Dushanit në Qendër të Shkupit. Por, një gjë dihet sigurt, shqiptarët e Shkupit e konsiderojnë ngritjen e përmendores së Car Stefan Dushanit si provokim.

(Alsat)