Cannes hapet me nur

Filmi për aktoren që u bë princeshë mund të shndërrohet në premierën botërore të Festivalit. Ndoshta jo. Grace of Monaco nuk ka kuptim pa kontradikta dhe zhurmë mediale.

ShowBiz

24/01/2014 21:00

Përfaqësuesit e Festivalit të Filmit në Cannes kanë njoftuar se edicioni i sivjetmë, 14 – 25 maj, do të hapet me filmin Grace of Monaco.

Filmi për Grace Kelly, princeshën shkëlqyese të Principatës fqinje, e cila ishte edhe yll legjendar në Hollywood, duket të jetë më se i përshtatshëm për organizatorët e festivalit.

Aktorja e kishte vizituar Festivalin në vitin 1955, me filmin The Country Girl, për të cilin kishte fituar Oscar.

Pikërisht këtu ishte njoftuar me Princin Ranier të Monakos, takim i cili do t’ia ndryshonte jetën.

Vizitë historike: Grace Kelly në Cannes, 1955.

Rolin kryesor e luan Nicole Kidman, mysafire e dashur në Cannes, kurse regjinë e ka bërë francezi Olivier Dahan, i cili njihet si regjisor i La Vie en Rose, filmit për ikonën e muzikës Edith Piaf.

Mirëpo, ditëve të fundit ka pasur informata se është duke u zhvilluar një luftë midis Dahan dhe Weinstein Company, distributorit për Amerikë, lidhur me versionin përfundimtar të filmit.

Kundërshtitë kanë lindur për shkak të mospranimit të regjisorit për t’i ndryshuar disa pjesë, gjë e cila është kërkuar nga distributori.

Kjo ka bërë që ende të mos ketë ndonjë datë për shpërndarjen e filmit nëpër kinema.

Një situatë e tillë është pozitive për Festivalin, pasi shfaqja e Grace of Monaco ka mundësi të shndërrohet në premierë botërore.

Grace dhe “Grace”

Familja Mbretërore e Monakos ka reaguar ndaj filmit, duke e konsideruar “të tepruar në glamur dhe historikisht të pasaktë”

Por, regjisori Dahan ka thënë se nuk pretendon të jetë i tillë, pasi nuk i do filmat biografikë.

“Unë nuk jam as gazetar, as historian”.

“Jam artist”.

“Kam dashur ta bëj portretin njerëzor të një gruaje moderne, e cila ka synuar të gjente balancë mes familjes, bashkëshortit dhe karrierës”.

“Por, ajo ka hequr dorë nga karriera, dhe e ka gjetur veten në një rol tjetër”.

“Është sall film”.

 A.M.

Traileri i Grace of Monaco.