Candreva humb kontrollin, godet me bërryl futbollistin e ri të Interit

Antonio Candreva nuk duket në qetësinë e duhur te skuadra e Interit.

Sport

17/07/2018 11:20

Antonio Candreva nuk po kalon një moment aspak të qetë te Interi, sepse pas një sezoni pa shënuar asnjë gol, askush nuk është më i bindur për t’i besuar një vend si titullar.

Për sulmuesin italian Interi po vlerëson ofertat, pasi Spalletti ka dhënë miratimin për largimin e tij, por natyrisht që ky fakt duket se e ka bërë vërtetë nervoz futbollistin.

Kjo është shfaqur qartë në seancën e djeshme stërvitore, ku Candreva ka qëlluar me shpullë mesfushorin 18-vjeçar, Xian Emmers, në një mënyrë vërtetë të turpshme dhe aspak të denjë për një futbollist me eksperiencën e tij.

Gjithçka nisi pas një dueli mes të dyve, ku topi doli jashtë dhe mbrojtësi pretendoi se nuk e kishte prekur. Kjo nervozoi Candrevën, që në aksionin pasardhës ndërhyri me forcë te 18-vjeçari dhe në përplasje e sipër, përdori duart për ta qëlluar në fytyrë, transmeton “SS”.

Incidenti ka ndodhur para syve të Spallettit, ndërsa klubi zikaltër nuk ka reaguar ende për këtë situatë, por duket se tashmë Candreva mund t’i ketë vënë vulën largimit të tij nga Interi.