Cana transferohet te klubi i njohur në Kosovë?

Tifozët gjakovarë, “Kuqezinjtë e Jakovës”, po shpresojnë që Lorik Cana do t’i bashkohet Vëllaznimit, njëjtë siç bënë muaj më parë tre ish-reprezentuesit e Shqipërisë: Armend Dallku, Debatik Curri dhe Ahmed Januzi, të cilët nënshkruan kontrata me FC Prishtinën.

Sport

28/01/2017 12:42

Lorik Cana është pensionuar nga Kombëtarja Shqiptare e po ashtu nuk është pjesë e asnjë ekipi. Kjo ka bërë që gjakovarët ta thërrasin legjendën e futbollit shqiptar në Vëllaznimin e tyre.

Madje edhe donatori i vetëm i klubit kuqezi, Shkëlzen Gashi, konfirmon se është takuar me Canën, me të cilin e paralajmëron edhe një takim tjetër të shpejtë.

Gashi ka thënë për “Zërin” se është i gatshëm t’i ofrojë yllit kosovar me famë ndërkombëtare një rrogë mujore prej 2 mijë eurosh.

“Ajo fotografi është bërë më moti në Shqipëri, kur jam takuar me Lorikun. Sidoqoftë, do të ishte diçka shumë e mirë sikur Lorik Cana t’i bashkohej Vëllaznimit, qoftë si futbollist, drejtor, menaxher. Pavarësisht rolit, prezenca e tij do të ishte diçka e mirë për klubin me të cilin jeton Gjakova”, tha Gashi.

“Jam i gatshëm që Lorik Canës t’ia ofrojë një rrogë prej 2 mijë eurosh në muaj. E di që nuk është ndonjë shumë e konsiderueshme për Canën, por në Vëllaznim lojtarët kanë rroga prej nga 300 eurosh, kurse për Canën do të isha në gjendje t’i bëj rrogë prej 2 mijë eurosh”, deklaroi Gashi.

Gashi paralajmëron takim të shpejtë me Canën

Pas pak ditësh Vëllaznimi do të udhëtojë drejt Shqipërisë për ta kryer një fazë përgatitore për sezonin pranveror. Kryetari i kuqezinjve, Shkëlzen Gashi, paralajmëron një tjetër takim me Lorik Canën.

“Do të shkojmë në Shqipëri për përgatitje dhe me gjasë do ta takoj atje Lorik Canën dhe do të bisedojë me të”, tha Gashi.

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 7 dhe Samsung Galaxy S6