Cana, ‘tifoz’ i Zvicrës

Kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana ka deklaruar se ai dhe anëtarët e tjerë të ekipit kuqezi do ta përkrahin Zvicrën në Kampionatin botëror 2014. Ekipi helvetik mposhti Shqipërinë 2-1 në Qemal Stafa të premten në kuadër të xhiros së parafundit të fazës eliminatore dhe siguroi pjesëmarrjen në ‘Brazil 2014’. Cana pranoi se i vjen keq…

Sport

12/10/2013 13:00

Kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana ka deklaruar se ai dhe anëtarët e tjerë të ekipit kuqezi do ta përkrahin Zvicrën në Kampionatin botëror 2014.

Ekipi helvetik mposhti Shqipërinë 2-1 në Qemal Stafa të premten në kuadër të xhiros së parafundit të fazës eliminatore dhe siguroi pjesëmarrjen në ‘Brazil 2014’.

Cana pranoi se i vjen keq që Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Granit Xhaka e futbollistë të tjerë shqiptarë luajnë për Zvicrën pasi do të preferonte t’i kishte për bashkëlojtarë te Shqipëria, por insistoi se do t’i përkrahë ata në Botërorin 2014.

“Më duhet të jem i sinqertë dhe t’ju them që i kam preferuar ata ti kemi me ne në ekipin e Shqipërisë, sepse unë mendoj se vendi i tyre është në ekipin e Shqipërisë, por ata e kanë bërë zgjedhjen e tyre. Ne i urojmë ata për kualifikimin në Kampionatin botëror dhe do të jemi mbështetësit e tyre të parë në qershorin e vitit të ardhshëm”, deklaroi Cana për Le Matin.

Mbrojtësi i Lazios komentoi edhe shanset e Zvicrës në Botërorin 2014.

“Zvicra ka qenë dashur të kualifikohej edhe më herët, para këtij dueli të fundit me Shqipërinë, sepse ata e kanë dominuar grupin. Me gjithë këta lojtarë cilësorë të cilët luajnë në shumë skuadra nga Liga e Kampionëve, dhe klube tjera të mëdha, ky ekip ka arritur pjekurinë”, u shpreh Cana.