Cameron refuzon BE-në lidhur me kontributin britanik në buxhet

Kryeministri britanik, David Cameron të hënë e ka hedhur poshtë një kërkesë të Brukselit për pagesë në buxhetin e BE-së, duke mos i marrë parasysh kërcënimet e Komisionit Evropian se Londra ballafaqohet me pagesë të gjobës nëse nuk paguan deri më 1 dhjetor.

Bota

27/10/2014 20:47

“Britania nuk do t’ia paguajë dy miliardë euro askujt më 1 dhjetor dhe ne e refuzojmë këtë shkallë të pagesës”, tha David Cameron gjatë fjalimit në parlamentin britanik, raporton AFP nga Londra.

Komisionari i përkohshëm për buxhet i BE-së, Jacek Dominik tha sot se Britania duhet të kontribuojë me 2.1 miliardë euro shtesë për buxhetin e BE-së, në të kundërtën do të ballafaqohet me gjobitje.

Cameron ka shpjeguar se të dhënat e BE-së janë vlerësim i përkohshëm dhe nuk do të jenë përfundimtare deri në vitin e ardhshëm.