Caka për vdekjet në QKUK: S’besoj që gabimi ishte profesional

Pas vdekjeve në QKUK të këtyre ditëve, siç janë vlerësuar të dyshimta, ka folur edhe nënkryetari i sindikatës së shëndetësisë së Kosovës, Sabri Caka, i cili deklaroi se nuk e beson që lëshimi ka ndodhë në aspektin profesional, sepse sipas tij në QKUK çdo ditë punohen raste të shumta dhe veçse janë lavdëruar për punën e bërë.

Lajme

13/09/2017 23:24

Megjithatë Caka shtoi se shpreson që të gjenden edhe faktorët eventual nëse ka ndodhur ndonjë lëshim, qoftë në aspektin teknik apo profesional, si dhe drejtësia të vihet në vend pavarësisht rrethanave.

“Duhet të investohet në kushte për punë, sepse këto mund të na sjellin edhe problemet që prekin edhe aspektin profesional. Infrastruktura është e stërvjetëruar”.

Ndërsa sa i përket rasteve që kërkojnë intervenime kirurgjike këto ditë, Caka sqaroi se nuk ka vend për shqetësim:

“Mos të krijohet paniku se në QKUK vazhdimisht punohet, meqë rastet emergjente operohen në sallat alternative. Pra ato raste që kanë nevojë të intervenohen do të kryhen siç janë kryer edhe sot”.

Duke bërë apel që të investohet në kushte të punës, infrastrukturë, barna dhe gjërat tjera të nevojshme, Sabri Caka u shpreh se janë pro zbardhjes së të gjitha rasteve dhe se nuk i shmangen drejtësisë, duke e pritur rezultatin përfundimtar.