Bytyqi: Duhen rreth 300 milionë euro për rregullimin e infrastrukturës shkollore në gjithë vendin

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka qëndruar në Rogovë të Gjakovës, për ta vizituar Sh.F.M.U. “Haxhi Hoti”.

Lajme

13/07/2018 15:46

Gjatë kësaj vizite, ai tha se nuk mund të diskutohet për cilësi nëpër shkolla pa i vizituar drejtpërdrejt ato.

Ai shtoi se nevojiten rreth 300 milionë euro për rregullimin e infrastrukturës shkollore në gjithë vendin.

“Kemi bërë një analizë diku rreth 300 milionë euro, na duhet për me rregullu infrastrukturën e shkollave dhe anekseve në Kosovë”, tha ministri Bytyqi

“Unë si ministër dhe ne si Ministri, bashkë me bashkëpunëtorët dhe zëvendësministrat, po tentojmë që të bëhet maksimumi që në shkollat tona të ketë një frymë tjetër të mësimdhënies, një cilësi në arsim dhe një bashkëpunim të gjithanshëm, përfshirë edhe nivelin lokal, sepse siç e dini, edhe në ligjin për arsimin e ulët parauniversitar një përgjegjësi të madhe kanë edhe pushteti lokal, gjegjësisht DKA-të”, shtoi tutje ai, raporton Ekonomia Online.

“Ajo çka është vështirësia kryesore, përveç ambientet dhe kushtet që ne duhet t’i krijojmë, dhe që mund të jetë kërkesë e vazhdueshme e secilës shkollë që të ketë edhe hapësirë të mjaftueshme, dhe kabinete, mjete konkretizuese që sa më lehtë mësimi të zhvillohet, por nuk do ta paragjykoja që nuk ka pasur përkushtim nga mësimdhënësit, por konsideroj që do të bëhet edhe më shumë përkushtim në mësimdhënie”.

Ministri Bytyqi tha se mësimdhënia tash po bëhet me teknika të reja dhe me përkushtim më të madh se në të kaluarën.

“Mësimdhënësit nuk janë vetëm të punësuar, të gjitha nivelet nuk duhet ta konsiderojnë se vetëm e kanë gjetur një punë dhe është mbyllur historia e tyre, mirëpo ata kanë një profesion të shenjtë dhe ne duhet t’u krijojmë kushte dhe të bashkëpunojmë”.

“Në implementim tani kemi një kurrikulë të re që është vlerësuar nga ekspertët dhe njerëz të arsimit me standarde të larta, kurrikulë e qëndrueshme, por nga ana jonë kërkojmë që të përgatiten për këtë kurrikulë që mësimdhënësit të kenë trajnime reale dhe jo vetëm formale për këtë”.

“Ne kemi nevojë me pasë libra të cilat përputhen me kurrikulë dhe libra që kanë vlerë më të mirë me librat që kanë tani. Është bërë një grup profesional i teksteve dhe kemi përpiluar një udhëzim administrativ dhe është bërë shpallja publike për tekste të reja, por që duan kohë për të pasur tekste të mira. Konsideroj që librat e reja të jenë të gatshme në vitin shkollor 2019-2020 me cilësi më të mirë”.

Zëvëndësministri i Arsimit, Artan Berisha, tha se salla e sportit është jofunksionale dhe rregullimi i saj është më urgjent.

“Takimi i sotëm dhe vizita jonë ka rëndësi të madhe dhe shpresoj që nga këtu të dalim me disa çështje konkrete për të mirën e qytetarëve të Rogovës”.

“Objekti ku kryhet mësimi është në kushte minimale, mirëpo çka është urgjente është salla e sportit, e cila është jofunksionale dhe kërkohet në mënyrë urgjente bashkarisht t’i mbledhim forcat të shpërblejmë Rogovën me atë që e meriton”.

Ndërsa drejtori i kësaj shkolle, tregoi se shkolla “Haxhi Hoti” në vitin 2017 ka festuar 90-vjetorin.

“Shkolla jonë është një shkollë e vjetër në nivel të Komunës së Gjakovës. Në vitin 2017 kemi festuar 90-vjetorin e kësaj shkolle. Kemi 35 mësimdhënës dhe të gjithë mësimdhënësit e kanë përfunduar trajnimin për kurrikulën e re. Kemi 603 nxënës. Kjo shkollë është ndërtuar në vitin 1965-1966 dhe deri pas luftës nuk pasur asnjë intervenim, vetëm disa pas luftës nga shtetet e huaja. Nuk kemi kabinete të mësimit nga ana praktike”.