Buxheti shpejton rrëzimin e Qeverisë

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatqija, thotë se Buxheti i vitit 2014 do ta përshpejtojë rrëzimin e Qeverisë së Kosovës.

Lajme

20/11/2013 09:02

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatqija, në një intervistë për Epokën e Re, thotë se Qeveria e Kosovës nuk ka më kapacitet që të mbajë pushtetin.

Sahatqija thotë se Buxheti i vitit 2014 do ta përshpejtojë rrëzimin e kësaj qeverie.

“Si po shkojnë punët, kjo Qeveri i ka larë duart dhe nuk po ka kapacitet të mbajë më pushtetin”.

“Edhe po qe se nuk do të kërkonim mosbesim, vetë PDK’ja me partnerët e kanë humbur ‘besimin’ në vete dhe do ta ‘mosbesojnë’ vetveten”.

“Duket se buxheti do ta ndihmojë ‘mosbesimin’ e Qeverisë dhe do ta përshpejtojë vetë rrëzimin e saj. Përfundimi i mandatit edhe ashtu nuk ishte i paraparë që nga fillimi i kësaj legjislature”.

Teuta Sahatqija, po ashtu, ka deklaruar për “Epoka e Re” se LDK në çdo çast është e gatshme për zgjedhje nacionale.

“LDK’ja është rikthyer si parti e parë. LDK-ja e ka rikthyer besimin dhe shpresën e qytetarëve për një qeverisje të drejtë. Prandaj, nëse pyesim se a është e gatshme LDK-ja për çfarëdo zgjedhje, përgjigjja është një PO e madhe. Në çdo çast jemi të gatshëm dhe nuk kemi asnjë problem”.

“Do të ishte mirë që zgjedhjet nacionale të mbahen pas përfundimit të reformës zgjedhore. Por nëse është e nevojshme, në zgjedhje mund të shkohet edhe pa reformë zgjedhore. Pas këtyre zgjedhjeve LDK’ja si fituese do ta përfundojë reformën”.